Humbja 7-0, më e thella në historinë e Barçës

02/05/2013 19:00

Humbja me rezultatin e përgjithshëm 7-0 ndaj Bajernit është më e rënda në historinë e Barcelonës, duke thyer rekordin e mëparshëm negativ që datonte në sezonin e largët 1962-63.

Në atë edicion të Kupës UEFA, sot Europa League, katalanasit pësonin sërisht shtatë gola nga Valencia, por nga ana tjetër arritën të realizonin tre në të dy ndeshjet.

Përsa i përket gjysmëfinaleve të Champions League, duhet të rikthehesh në vitin 1964, për të gjetur një rezultat me shtatë gola diferencë.

Në atë edicion, Reali i Madridit arriti të fitonte 8-1 përballë Zyrihut (6-0, 2-1), por humbi në finale ndaj Interit të Herrerës (3-1).

Njëkohësisht, Barcelona shndërrohet në klubin e tretë spanjoll që eliminohet nga një kompeticion europian duke humbur të dyja ndeshjet me mbi tre gola të pësuar, pas humbjes së Majorkës me rezultat të përgjithshëm 7-1 përballë Njukasëllit, në edicionin 2004-05 të Kupës UEFA dhe Sevilja, e mundur 10-2 nga Reali në Kupën e Kampioneve të vitit 1958.

Përsa i përket skuadrave gjermane, që prej suksesit të Frankfurtit ndaj Gllasgout, në gjysmëfinalet e Kupës së Kampioneve 1960, asnjë skuadër tjetër nuk kishte arritur të fitonte të dyja ndeshjet me një diferencë më të madhe se tre gola.

Njëkohësisht, Bajerni shndërrohet në skuadrën e parë që fiton tre herë në “Camp Nou” në kompeticione europiane, pas viteve 1996, 1998 dhe 2013.

Top Channel