Gotze mungon ndaj Bayern-it në fundjavë

02/05/2013 03:25

Ylli i Borussia Dortmund, Mario Gotze, do të mungojë në supersfidën e ditës së shtunë, në Bundesligë, kundër Bayern Munchen.

Ai po lufton me kohën, gjithashtu, për të qenë i gatshëm për finalen e Champions League, pasi ka pësuar një tërheqje muskulare në këmbën e majtë, në ndeshjen gjysmëfinale ndaj Real Madrid.

Mesfushori 20-vjeçar, i cili do të bashkohet me klubin bavarez në korrik, u largua pas vetëm 14 minutash nga sfida me Realin, për shkak dëmtimi, ndeshje të cilën Dortmund e humbi 2-0, të martën, por arriti të kualifikohej për në finalen europiane të “Wembley”-t, më 25 maj, pas rezultatit të përgjithshëm 4-3.

Trajneri i Dortmund, Jurgen Klopp, konfirmoi se Gotze ka këputur një ligament dhe do të mungojë në ndeshjen e kampionatit ndaj klubit të tij të ardhshëm, ditën e shtunë, të cilët e kanë fituar tashmë titullin kampion në Bundesliga, ndërsa Dortmund gjendet në vendin e dytë të renditjes.

“Do të jetë një sfidë e vërtetë për të, për të gjitha këto ndeshje që na kanë mbetur”, tha Klopp, ndërkohë që Dortmund do të përballet me Bayern, Wolfsburg dhe Hoffenheim, në kampionat, përpara finales së Champions-it, më 25 maj.

Top Channel