Ancelotti, gjithmonë e më pranë Realit

02/05/2013 18:15

Carlo Ancelotti është gjithmonë e më pranë Realit të Madridit, ndërsa kontaktet midis trajnerit dhe klubit madirlen janë vendosur.

Sipas të gjitha gjasave, Mourinho pritet të largohet në fund të sezonit dhe pasi u studiua një listë emrash, midis të cilëve edhe ai i Jurgen Klopp apo Heynkes, italiani rezulton të jetë i përzgjedhur i Florentino Perez.

Ndonëse nën kontratë me Paris SG, Ancelotti duket se nuk është i kënaqur me ambientin në Paris dhe do të ishte i gatshëm për këtë transferim, nëse Reali arrin një marrëveshje me pronarin e parizienëve, sheikun Tamim bin Hamad al-Thani.

Marrëdhënia e Ancelottit me sheikët ka qenë e vështirë dhe sipas shtypit francez, presidenti i klubit, sheiku Nasser al-Khalaifi, kërkoi shkarkimin e tij pas humbjes 2-1 me Nisën, në muajin dhjetor.

Ndonëse situata u përmirësua në muajt e fundit, me Parisin që duket se e ka të sigurt titullin kampion dhe ndonëse arriti në çerekfinalet e Champions, antipatia Khalaifi-Ancelotti duket se vazhdon të jetë e ndërsjelltë.

Ndërkohë, në Madrid, pas deklaratave se do t’i pëlqente të largohej atje ku e duan, Mourinho u prit me kontenstime dhe sllogane ofenduese nga një grup prej dhjetëra tifozësh, në largimin e tij nga qendra stërvitore e klubit gjatë së enjtes.

Për Mourinhon duket se është gjithmonë e më i afërt rikthimi në Premier League, në drejtimin e Chelsea.

Top Channel