Shefja e diplomacisë europiane, Catherine Ashton, do t’i ulë sërish në të njëjtën tavolinë kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atë serb Daçiç, por kësaj radhe në lidhje me planin për zbatimin e marrëveshjes së arritur më 19 prill.
Se kur do të ndodhë kjo, ende nuk ka një datë të saktë, por sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës, Hajredin Kuçi, “Kryeministri është i gatshëm kurdo, që zonja Ashton përgatit axhendën për një takim të tillë”.
Sipas tij, brenda 90 ditëve duhet të ketë veprime konkrete, për zbatimin e marrëveshjes në pjesën veriore të Kosovës.
“Janë dy drejtime ku duhet të bazohen veprimet: e para ndalimi i atyre gjërave, që kanë qenë deri më tani, në kuptimin e strukturave ilegale, pastaj ndërtimi i strukturave të reja, në kuadër të Kushtetutës dhe ligjeve tona. Ne kemi plan, që brenda 90 ditëve të kemi veprime konkrete dhe të prekshme, për veprime në atë pjesë të Kosovës, por natyrisht besoj, që ky plan do të harmonizohet në planin kohor edhe me palën e BE-së, por edhe me atë serbe”, tha Hajredin Kuçi.
Në anën tjetër, në dy partitë opozitare mbështetëse të dialogut, LDK dhe AAK, deklarohet se marrëveshja duhet të fillojë të zbatohet sa më shpejt.
“Kjo është vetëm një marrëveshje, sepse do të ketë dialog dhe bisedime edhe për tema të tjera dhe do t’i humbte kuptimi, nëse shkohet në tema tjera, derisa nuk është implementuar kjo marrëveshje, çfarë po paralajmërohet se duhet të nënshkruhet dhe të ratifikohet në Kuvendet reciproke”, tha Sadri Ferati, deputet i LDK-së.
“Është e qartë se zbatimi nuk do të jetë i lehtë. Ka struktura paralele të cilat, për një kohë të gjatë, e kanë vendosur autoritetin e vet dhe kanë ndërtuar strukturat e veta. Mirëpo, mendoj se fillimi i zbatimit të marrëveshjes duhet të jetë i shpejtë, përndryshe nuk ka kuptim marrëveshja”, tha Ardian Gjini, kryetar i grupit parlamentar të AAK-së.
Por, deputeti i Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, e sheh marrëveshjen të dëmshme. “Po na krijohen dy lloje të Kosovës. Një Kosovë deri në lumin Ibër, e cila qeveriset nga Plani i Ahtisaarit, dhe Kosova përtej lumit Ibër, e cila qeveriset sipas Asociacionit të komunave serbe të Kosovës”, tha Glauk Konjufca.
Kuvendi i Kosovës, me 89 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim, ka mbështetur rezolutën e qeverisë, përmes së cilës është siguruar pëlqimi për mbështetjen e marrëveshjes së parë për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, ndërsa ratifikimi i saj ende nuk ka ndodhur.
Top Channel