Mourinho: E ardhmja, pas Kupës së Mbretit

01/05/2013 02:50

Jose Mourinho nuk fsheh asgjë për të ardhmen e tij. Edhe pse tekniku aktual i Real Madrid lë gjithçka në pritje, për mediat italiane ka deklaruar: “Do të vendos për të ardhmen time, pas finales së Kupës së Mbretit, dhe do ta bëj me presidentin Perez. Sigurisht, do të zgjedh atë që është më e mirë për mua”.

Më pas, një “fshikëllimë” për Guardiola-n: “Jo, nuk do të marr një vit pushim”. Sa i përket finales së humbur me Borussia Dortmund, ai shton: “Jam i nervozuar, sepse me mentalitetin e treguar këtë ndeshje, nuk do të kishim humbur 4-1 në Dortmund”.

Por, për një televizion anglez, ai hapet më shumë, duke dhënë një indicie të rëndësishme për zbulimin e enigmës se cila do të jetë pankina e ardhshme e portugezit: “Do të shkoj atje ku njerëzit më duan”, shpjegoi Mourinho.

Është e vështirë të mos mendosh se e ardhmja, për të cilën flet ish-tekniku i Interit, nuk do të jetë Chelsea. “Në Angli të gjithë më duan, mbi të gjitha një klub”, shtoi trajneri i “Los Galacticos”. “Këtu në Spanjë është ndryshe, shumica më urren. Por, dua t’u them këtyre të mos shqetësohen për mua, mund të eci përpara edhe vetëm. Reali është një ekip i madh dhe duhet të arrijë me çdo kusht te Champions-i i dhjetë”.

Në fund i rikthehet sërish ndeshjes në “Bernabeu”: “Arritëm të rikuperonim besimin në Champions me 3 gjysmëfinale radhazi. Besoj se kanë qenë 3 sezone fantastike në Champions për Realin. Sa i përket nivelit psikologjik, kjo ka qenë e rëndësishme, por nuk arritëm të fitonim. Duhet t’ia dalin në të ardhmen, nëse me mua, mirë, përndryshe s’do e uroja diçka të tillë”.

Top Channel