Dortmundi, drejt një finaleje gjermane

01/05/2013 00:00

Borussia Dortmund mundet 2-0 në “Santiago Bernabeu” por, falë fitores 4-1 në ndeshjen e parë, rikthehet pas 16 vjetësh në finalen e Ligës së Kampionëve.

Golat e Karim Benzema dhe Sergio Ramos nuk i mjaftuan Realit të bëjë përmbysjen e madhe dhe gjithashtu shuajtën shpresat e Mourinho-s për të hyrë në histori, si trajneri i parë që fiton Champions-in me 3 klube të shteteve të ndryshme.

Madrilenët e nisën ndeshjen mjaft vrullshëm, duke rrezikuar 3 herë brenda 15 minutave të para. Higuain, Ronaldo dhe Ozil nuk arritën të zhbllokonin rezultatin. Skuadra e Klopp kërkon të surprizojë me kundërsulm, por Lewandowski, arma më e fortë e gjermanëve, humbi mes markimit majft të rreptë të Sergio Ramos.

Dortmundi krijoi dy raste mjaft të pastra në fillimin e pjesës së dytë. Gjuatja e Lewandowski-t, në fillim, ndalet nga traversa dhe, më pas, ajo e Gundogan shënjestroi portierin Diego Lopez.

Pas këtyre momenteve, Mourinho futi në fushë Benzema dhe Kakà, dy ndërrime që sollën gjallëri dhe freski në sulmin e Realit. Në minutën e 83-të, Benzema dërgoi në rrjetë një top të ardhur nga Ozil.

Pesë minuta më vonë, Ramos dyfishoi rezultatin, duke rritur shpresat për një “Remuntada”. Por, përpjekjet e tyre në minutat e mbetura nuk mjaftuan, që të bëhej mrekullia e shumëdëshiruar nga tifozët madrilenë.

Kështu, Dormundi është finalistja e parë e këtij sezoni në Champions dhe, me shumë mundësi, në “Wembley” do të përballet me kampionët e Gjermanisë, Bayern Munchen, të cilët mundën 4-0 Barcelonën në ndeshjen e parë gjysmëfinale.

Top Channel