NBA, Collins “ngushëllohet” nga politikanë e sportistë

30/04/2013 03:30

Bill Clinton e cilësoi njoftimin e tij si një “moment të rëndësishëm për sportet profesioniste, si dhe për historinë e komunitetit LGTB”

Collins, i cili kaloi nga Boston Celtics drejt Washington Wizards këtë sezon, shkroi në rrëfimin e tij se Joe Kennedy, një kongresmen republikan i Distriktit të 4-t të Massachusetts-it, e ndihmoi atë në vendimin e menjëhershëm për të dalë publikisht si një gay.

Kennedy dhe Collins kanë qenë shokë dhome në Stanford. Ai rrëfen se kishte dëgjuar për Kennedy-n, i cili nuk është gay, të marshonte në paradën e gay-ve në Boston.

“Për aq sa e njoh Jason Collins, atë mund ta veçoj për 3 gjëra: pasionin e tij për sportin që e do aq shumë, integritetin e palëkundur të tij dhe zemërgjerësinë më të madhe, me të cilën mund të përballesh ndonjëherë”, tha Kennedy. “Jam krenar të qëndroj pranë tij sot dhe krenar ta quaj atë një shok”.

Presidenti Barack Obama i telefonoi Collins-it “për t’i shprehur mbështetjen e tij dhe për t’i thënë se kishte mbetur i impresionuar nga kurajoja e tij”, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë.

Disa lojtarë aktivë në NBA dhanë mbështetjen e tyre për Collins në Twitter. Lideri i Los Angeles Lakers, Kobe Bryant, shkroi: “Krenar për Jason Collins. Mos të të mbysë fakti se cili je, për shkak të injorancës së të tjerëve”. Edhe Steve Nash, një tjetër lojtar i Lakers-ave, shkroi: “Erdhi koha. Respekt maksimal”.

Nuk kanë munguar as dy lojtarë të Wizards, Garrett Temple dhe Bradley Beal, të cilët i kanë dhënë kurajo Collins. “Respekt të madh për kolegun tij”, shkroi Temple, ndërsa Beal postoi “Një koleg skuadre i madh, një mentor dhe person i mirë”.

Njoftimi i Collins erdhi pas përfundimit të sezonit për skuadrën e Washington-it, teksa tashmë ai nuk ka më një kontratë të nënshkruar. Ai mbetet një lojtar i lirë në tregun e NBA-së dhe nuk i dihet nëse do të luajë sërish duke nisur nga vjeshta e ardhshme.

Top Channel