Kur s’janë mbushur ende 48 orë nga marrja zyrtare e detyrës, qeveria e re italiane e formuar mes dy rivalëve, të majtëve të Bersanit dhe të djathtëve të Berlusconi-t, duket se po përballet me përçarjen.
“Molla e sherrit” mes aleatëve të rinj, dikur armiq të përbetuar, është bërë taksa për pasuritë e paluajtëshme, e njohur në Itali si IMU. Kjo taksë është në fuqi që prej vendosjes së saj nga qeveria Monti dhe detyron italianët të paguajnë në përqindje që rritet në varësi të vlerës së objektit.
Një deklaratë e Dario Franceschini-t, Ministër për Marrëdhëniet me Parlamentin në qeverinë e re italiane ka ngjallur reagimin e fortë të Berlusconi-t. Ministri tha në parlament se nuk do të ketë heqje të kësaj takse, por një rishikim të saj në muajin qershor.
Kreu i PDL-së, Berlusconi reagoi menjëherë duke kërcënuar me braktisjen e qeverisë, praktikisht rrëzimin e qeverisë Letta, nëse nuk hiqet kjo taksë. Në fakt ish-kryeministri italian e përdori si kartë të fortë elektorale premtimin për heqjen e kësaj takse, madje duke premtuar edhe rikthimin nga ana e shtetit të parave që u janë marrë italianëve gjatë vitit 2012 nëpërmjet kësaj takse.
Kryeministri Enrico Letta, i përzgjedhur nga e majta, i ndodhur nën presionin e partisë së tij për të mos hequr këtë taksë dhe kërcënimit të Berlusconi-t për heqjen e saj, bëri thirrje për unitet duke thënë se nuk ka alternativë tjetër përvec kësaj.
Letta: Kalojmë krizën për 18 muaj
Në fjalimin e parë para parlamentit, kryeministri i ri italian, Enrico Letta deklaroi se vendi duhet të ndërmarrë sa më parë reformat për të tejkaluar krizën që po shkatërron vendin.
Ai u zotua se në krye të kabinetit që udhëheq, do të ndalë recensionin dhe do të rrisë ekonominë italiane brenda 18-muajve. Letta premtoi reformim të ligjit elektora dhe masa për rritjen e mirëqenies, shkurtimin e pagave të deputetëve dhe pezullojë taksën për pronat.
Pas marrjes së votëbesimit në Dhomën e Ulët, Letta tha se koalicioni me bazë të gjërë do të punojë seriozisht dhe me përkushtim.
Top Channel