Red Bull: Luftë e lirë midis Vettel-Webber

29/04/2013 19:50

Pronari i Red Bullit, Dietrich Mateschitz, përkrah luftën brenda skuadrës midis dy pilotëve të tij, Vettel e Webber.

Në një intervistë për të përditshmen austriake “Krone”, Mateschitz tha: “Vettel e Webber mund të konkurrojnë lirisht midis tyre deri në fund të sezonit. Filozofia ime ka qenë gjithmonë: “Më parakalo nëse mundesh”.

Në garën e dytë të sezonit, atë të Malajzisë, Vettel parakaloi kundër urdhërave të Red Bullit, duke rrezikuar aksidentin me shokun e tij të skuadrës, kur i ishte thënë që secili prej tyre të ruanin vendin e parë dhe të dytë.

Ky incident dhe favorizimi që duket se skuadra austriake i ka bërë pilotit gjerman, ka bërë që të qarkullojnë gjithmonë e më shumë zëra për largimin e mundshëm të Webber.

Në lidhje me mundësinë që australiani të kërkojë një destinacion tjetër për sezonin e ardhshëm, Mateschitz komentoi: “Gjithçka do të varet prej tij, nga sa i shpejtë do të tregohet në këtë sezon dhe nga ofertat që do të ketë”.

Top Channel