Pushtimi i mushkonjave, ISHP: Dezinfektoni territoret

29/04/2013 00:00

Shtimi i insekteve dhe brejtësve që përhapin sëmundjet ngjitëse, si
mushkonjat, mizat dhe minjtë, ka alarmuar Institutin e Shëndetit Publik,
i cili u kërkon bashkive, komunave dhe subjekteve private të bëjnë
desinfektimin e zonave të tyre.

Ndonese bashkite kane buxhet te posaçem dhe punonjes te tyre trajnohen çdo vit per kete qellim, ato nuk e kryejne kete proces, pasi fondet e akorduara nderrojne destinacion.

“Themi se është bërë një dezinfektim dhe dezinsektim i pjesshëm, kryesisht i zonave bregdetare. Në terren duhet t’i kryejë pushteti lokal. Ka specialistë të higjienës për të kryer këto procese, pjesë e sektorëve të mirëfilltë të ngritur në pushtetin lokal me kapacitet dhe buxhet të duhur për të menaxhuar situatën, jo vetëm gjatë sezonit turistik”, thotë Eugena Tomini,specialiste në Institutin e Shëndetit Publik.

Vitin e kaluar mizat dhe mushkonjat u shnderruan ne shqetesim serioz jo vetem per banoret ne zonat bregdetare  prane lagunave dhe kenetave, por edhe per banoret e qyteteve të tjera. Ndërkohë që janë bërë shqetësim i madh edhe për turistët. Specialistë të Institutit të Shendetit Publik thone se në vend numërohen 13 raste të prekur nga sëmundja e malaries, ndonëse janë raste të importuara nga jashtë.

“Vektori është prezent në zonat lagunare, në vendet ku kanë qenë këneta dhe kanalizime të hapura”, thotë Tomini.

Në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se përveç subjekteve private do te nisin te aplikohen gjoba ndaj bashkive dhe komunave qe nuk kryejne procesin e dezinfektimit dhe dezinsektimit.

“Vetë subjektet private, bare, restorante, hotele, shtëpi private, të gjithë kanë detyrimin që të eliminojnë rezervuarë të ujërave të ndenjura, fuçi, vazo, gropa, të cilat që përbëjnë një mjedis për shumëzim. Të kontaktojnë edhe kompani private, të licensuara për t’u marrë me dezinfektimin për të bërë të mundur eliminimin e larvave apo të kandrrave në formën e tyre të rritur. Një rol themelor për këtë proces ka pushteti vendor”,thotë drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Gazmend Bejtaj.

Vite me pare dezinfektimi behej me helikoptere, por tashme kjo metode konsiderohet jo efektive per shkak se demton ekosistemet.

Top Channel