LEONARD BODURI – Nuk e di nëse ka të bëjë vetëm me afrimin e zgjedhjeve
elektorale apo me pasqyrimin real të mënyrës së qeverisjes së vendit,
por përherë e më shumë po gjen përdorim në analizat dhe editorialet e
përditshme argumentimi kokëfortë se jemi duke jetuar nën çatinë e një
regjimi të rrezikshëm, nën regjimin e Saliut.
Argumentet bazohen në ngjarje të hershme e të vona dhe theksi vendoset në uzurpimin e institucioneve, kontrollin e plotë të tyre, duke përfshirë organin e akuzës, gjyqësorin, presidencën e kështu me radhë. Loja e pistë e palëve me KQZ-në, si dhe kriza e stisur dhe e mirëkalkuluar e opozitës, edhe pas rrokadës së vendeve të PBDNJ-së nga LSI-ja, e ka theksuar akoma më shumë tezën e regjimit. Instalimi i regjimit, pavarësisht interesit të opozitës për fryrjen dhe publicitetin e tij për të hequr vëmendjen nga rënia e sloganit të “Rilindjes”, ka bazat e veta. Me pak fjalë, ajo mbështetet në idenë se berishizmi ka sulmuar pavarësinë e të gjitha institucioneve që duhet të balanconin pushtetet, prandaj zgjidhja e të gjitha problemeve që ka vendi është largimi i Berishës. Vetëm largimi i këtij individi me fuqi të mbinatyrshme do të sillte menjëherë ndryshimin e gjendjes nga një regjim në një demokraci të shëndoshë. Me ikjen e Berishës çdo gjë sa hap e mbyll sytë do të shkonte në normalitet.
Para se të vinte Berisha në pushtet në vitin 2005, kushtet e funksionimit të vendit dhe qëndrimet e ndërkombëtarëve ishin shumë herë më të forta ndaj regjimit të krijuar nga udhëheqësi legjendar i së majtës, z. Nano. Akuzat e opozitës së atëhershme ishin aq të forta dhe të argumentuara saqë për një moment menduam se z. Nano do të përfundonte prapë në burg bashkë me klanin e Zemunit. Në të vërtetë deklaratat e forta të atyre kohëve shërbyen vetëm për ilustrimin e tragjikomizmit të kastës politike shqiptare dhe për zëvendësimin e disa të korruptuarve me ca të tjerë. Siç pritej nuk ndodhi asgjë. Jo vetëm që nuk pati një ndëshkim për korrupsionin nga togat e “duarve të pastra”, por jo rrallëherë z. Nano u kthye në një patericë të dobishme të qeverisjes së re, duke e ofruar publikisht mbështetjen për qeverinë e djathtë. Kjo sjellje postzgjedhore është një histori pa mbarim, prandaj bashkëjetesa me regjimin nuk është një vepër personale e Berishës, por për krijimin e regjimit kemi kontribuar të gjithë me sa kemi pasur mundësi. Regjimi ka qenë bashkëshoqëruesi ynë besnik, por merita për këtë gjendje nuk mund të lidhet kurrsesi me një emër të vetëm.
Zakonisht në një regjim të tipit klasik pozita i fiton zgjedhjet me mbi 70 apo 80 për qind të votave dhe opozita është një farsë që mbahet në këmbë nga qeveria, gjë që është e pamundur të pranohet se i përshtatet gjendjes së vendit tonë. Kushtet për regjim lidhen kryesisht me manipulimin e vullnetit të qytetarëve, si dhe mungesën e lirisë. Në këtë drejtim ia vlen të diskutojmë për konturet e një regjimi apo një përplasje bandash për të kontrolluar regjimin e momentit. Konkretisht dy problemet më të mëdha të administrimit të procesit zgjedhor kanë të bëjnë me rajonizimin e panatyrshëm të Shqipërisë në çifligje zgjedhore të pakuptimta, sipas orekseve dhe meritës së dy partive të mëdha, si dhe me numërimin militantesk të votave nga institucioni më politik në vend, KQZ-ja. Të lësh në dorë të partive politike mënyrën e administrimit të zgjedhjeve është njëlloj si t’i varësh ujkut mëlçitë në qafë. Beteja e fundit për kontrollin e KQZ-së tregoi qartë sesa i rëndësishëm është në këtë vend jo procesi i votimit, por ai i numërimit. Procesi i përfaqësimit të partive politike në KQZ është shumë i rëndësishëm edhe për formimin e koalicioneve parazgjedhore. Kërcënimi i partive të mëdha i demotivojnë partitë e vogla me pamundësinë e tyre për ruajtjen e votës. Kjo është koha kur o je me ne, o je kundër nesh. Tashmë avokatët e votës së lirë (opozita e sotme, PS-ja dhe aleatët e saj) do të bëjnë sehir kur votat e AK-së dhe FRD-së do të grabiten nga regjimi i Berishës, por ata vetë nuk kanë gisht në këtë punë. Kështu që vetë e kanë fajin AK-ja dhe FRD-ja që nuk u nënshtruan dhe nuk u bashkuan me hajdutët që t’i mbronin nga hajdutët.
Elementët e regjimit pasurohen me mënyrën sesi zhvillohen fushatat zgjedhore. Mbushja e autobusëve me mitingashë nga halli që mbushin sheshet elektorale me brohoritje me zor për fitoren është një pamje e zakonshme gjatë fushatës zgjedhore. Ky aktrim i organizuar ka për qëllim të na mbushë mendjen se qeverisja (qendrore apo lokale) ka mbështetje të fortë në popull, prandaj edhe vota kundër e ndonjë qytetari të pabindur nuk do të ketë ndonjë ndikim në fitoren e sigurt. Natyrshëm qeverisja qendrore është përgjegjëse kryesore e kësaj sorollatjeje të dhunshme të mbushur me frikë nga despotizmi i pushtetit, por opozita është po aq fajtore për betejën e mbushjes së shesheve elektorale, duke përdorur të njëjta metoda që zbatohen nga pushteti i saj lokal. Të mos harrojmë se edhe opozita organizon mitingje zgjedhore natyrisht me ndihmën e autobusëve. Për sqarim nuk kam asgjë kundër udhëtimit me autobusë, por nuk mund të tolerohen këto udhëtime të sponsorizuara nga pushtetarët vendorë opozitarë, të cilët i mbushin dëng me nëpunës lokalë si për të marrë hakun ndaj pronotimeve të drejtorive rajonale të pushtetit qendror. Shqetësimi më i madh dhe më i ndjeshëm i të dyja regjimeve kulmon me votimin me listë të nëpunësve të pushtetit. Punonjësit e administratës qendrore apo lokale votojnë me listë, pavarësisht se kush është duke qeverisur: e majta apo e djathta. Natyrisht nëse nëpunësit nuk u binden urdhrave për votimin e organizuar, rrezikojnë të fluturojnë nga vendet e punës. Ja pra që administrata jonë shtetërore bën detyrën si në nivel qendror ashtu edhe atë lokal, dhe është e mirorganizuar, nuk ke ç’i thua. Pra, siç e shihni, kemi të bëjmë me një garë pasionante për instalimin e regjimit, ku herë parakalon njëra palë dhe herë tjetra.
Atëherë kemi të bëjmë me një regjim apo me një përplasje regjimesh? A janë duke luajtur teatër me ne këta ndërkombëtarët, duke na thënë se jemi një demokraci funksionale apo jemi ne të prirur të gënjejmë veten? Rreshtimi tejet tifozerik dhe aspak parimor i palëve ka sjellë si rezultat qëndrime ultrasish ekipesh futbolli. Në fakt fillesat e regjimit kanë të bëjnë me shmangien e vullnetit të qytetarëve nga zgjedhjet e brendshme të partive dhe më pas konsolidohen me format e sipërpërmendura. Punonjësit e administratës shtetërore përjetojnë një nivel alarmant stresi dhe pasigurie për vazhdimin e marrëdhënies së punës, për shkak të diktatit të regjimeve qendrore dhe lokale. Ato të vetëquajturat sindikata janë vetëm disa zgjatime hipokrite të politikës së majtë apo të djathtë. Kushtet e regjimit forcohen me ndarjen e mediave dhe elitave (nëse mund të mbajnë këtë emër) në shërbim të kaheve të ndryshme të politikës me qëllimin e vetëm përfitimin nga thesi i ndarjes së buxhetit shtetëror. Kjo “balancë” si përplasje regjimesh është projeksioni i modelit të turpshëm të funksionimit të KQZ-së, por nuk na lejon ta drejtojmë gishtin drejt një individi të vetëm. Gjendja aktuale është një regjim hibrid, i cili në kushte specifike mund të jetë edhe i rrezikshëm, por askush nga palët kryesore politike nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia. Është e papranueshme që nga njëra anë opozita ta mbrojë bashkimin e saj amoral me justifikimin e mefshtë se problemi duhet të kërkohet te sistemi dhe jo tek individi dhe, nga ana tjetër, të akuzojë një individ të vetëm për instalimin e një regjimi. Problemi i vërtetë nuk gjendet as te Berisha, as te Nano, Rama apo Meta. Thelbi i problemit nuk mund të jetë asnjëherë një individ i vetëm, por heshtja dhe konsensuset monstruoze që u leverdisin palëve. Hipokrizia e tejskajshme dhe mungesa totale e vullnetit për të ndërtuar një demokraci funksionale janë arsyet reale të simptomave të regjimit në Shqipëri. Palët nuk kanë pasur asnjëherë si qëllim formulimin e rregullave të reja të lojës që do të mundësonin një sistem të ri të pakontrollueshëm nga një individ i vetëm. Ata kanë pasur një qëllim të vetëm: të zëvendësojnë individin e fortë në pushtet me një individ nga gjiri i tyre. Fronin e mbretit armik ta zërë mbreti i tyre me qëllim që ata të gëzojnë ofiqet e kundërshtarëve të tyre. Shqipëria nuk vuan për individë të aftë për të sjellë ndryshime rrënjësore, por për mungesën e misionarëve politikë që mund të shohin përtej çifligjeve partiake. Kasta e tanishme politike ka vetëm synimin që të zëvendësojë regjimin aktual me një tjetër…
Top Channel