Mourinho: Luajmë “pisët”, gjithçka mund të ndodhë

29/04/2013 18:50

Trajneri i Realit të Madridit, Jose Mourinho, vazhdon të besojë tek shanset e skuadrës së tij për të arritur në finalen e “Wembley”, pavarësisht humbjes 4-1 të pësuar në ndeshjen e parë gjysmëfinale të Champions, në Dortmund.

Megjithatë, portugezi pranoi se skuadra duhet të luajë me një shpirt tejet agresiv dhe një qëndrim krejtësisht të ndryshëm nga ndeshja e parë, perfshire mungesen e “fair-play”, nëse synon që t’ia dalë mbanë.

Shanset për kualifikim – “Në futboll gjithçka është e mundur. Shanset për kualifikim? Nuk më pëlqen të flas për këtë. Nisim me një handikap shumë të madh. E dimë që ndeshja nis me rezultatin 1-4 dhe nëse do të mbanim këtë në mendje, do të ishte e vështirë të justifikonim matematikisht shanset tona. Megjithatë, mund t’ia dalim përsëri”, tha Mourinho, në konferencën për shtyp të prag-ndeshjes.

Përgjegjësia e Mourinhos – “Në të gjithë klubet, suksesi është i të gjithëve, ndërsa dështimi personal. Rekordi i një viti më parë prej 100 pikësh duket se është harruar, sikur të ishte një shifër e 100 viteve më parë. Pa dyshim, nëse nuk kualifikohemi, dështimi do të jetë i imi, jo i të gjithëve”, komentoi Mou.

Ndeshje “e pistë” – “Në ndeshjen e parë Lewandowski na shënoi katër gola, ndërsa ne nuk i bëmë asnjë faull. Cristiano, në dhjetë minutat e para kishte pësuar ndërkohë pesë ndërhyrje. Nuk mund të tregohesh kaq naiv në një ndeshje të tillë. Kjo dhe agresiviteti duhet të ndryshojnë nëse duam të kualifikohemi”.

Zërat për të ardhmen – “E para, e ardhmja ime nuk varet nga ajo që do të ndodhë nesër. Klopp tha se do të shkoj tek Chelsea? Kjo është ajo që lexuan njerëzit, atë që ai tha se e kishin keqkuptuar nuk e komentoi kush. Ancelotti? Për këtë mos më pyesni mua, pyesni të interesuarin apo Realin. Unë tani mendoj vetëm për Dortmundin, kemi një ndeshje për të përmbusur dhe këtë mund ta bëjmë vetëm duke luajtur në maksimumin tonë, jo si në takimin e parë ku dukej sikur kishim shkuar në një ndeshje miqësore”.

Top Channel