Dënohen me rreth 20 vjet burgim katër mjekë kosovarë, të cilët u gjetën fajtorë për krim të organizuar, konkretisht për trafikim të qënieve njerëzore dhe lëndim të rëndë trupor në çështjen e klinikës se transplantimit të veshkave “Medicus”.
I pari që dëgjoi vendimin e trupit gjykues në gjykatën themelore në Prishtinë këtë të hënë ishte urologu i njohur kosovar Lutfi Dervishi, njëherësh pronar i klinikës “Medicus”, në të cilën ishin kryer transplantimet e veshkave në mënyrë të paligjshme.
Dervishi u dënua me tetë vjet heqje lirie dhe me një gjobë prej 10 mijë eurosh. Me shtatë vjet burgim, si dhe me një gjobë prej 2500 eurosh u dënua djali i Lutfi Dervishit, Arban Dervishi, i cili ka vepruar në cilësinë e ekonomistiti në klinikën “Medicus”, por që është shpallur fajtor edhe për trafik të qenieve njerëzore.
Anestezisti Sokol Hajdini, i cili po kështu kishte punuar në klinikën në fjalë, u dënua me 3 vjet heqje lirie për lëndim të rëndë trupor, ndërsa dy asistentë-anestezistët Islam Bytyçi dhe Sylejman Dula u dënuan me nga një vit dënim me kusht, për lëndim të rëndë trupor.
Në arsyetimin e tij gjyqtari ndërkombëtar tha se përafërsisht 24 transplante ilegale të veshkave janë kryer në klinikën “Medicus”, nga marsi deri në tetor të 2008-ës.
“Të gjithë dhuruesit dhe marrësit e veshkave janë të huaj, përveç dy prej tyre. Në bazë të emrit kemi konstatuar se janë shqiptarë, por asnjëherë nuk i kemi gjetur. Gjatë proçesit kemi dëgjuar dëshminë e gjashtë dhuruesve. Ata janë gra dhe burra nga Izraeli, Rusia, Ukraina, Kazakistani, Bjellorusia dhe Turqia. Gjithashtu, kemi dëgjuar dëshminë e 11 marrësve të veshkave. Shumica prej tyre janë burra të pasur dhe të vjetër nga Izraeli, Polonia, Kanadaja, SHBA-të dhe Gjermania. Ata kanë paguar deri në 100 mijë dollarë për veshken e tyre të re”, tregoi gjyqtari Dean Pineles.
Dy të akuzuarit e tjerë, ish-sekretari i përgjithshëm i Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj dhe kirurgu Driton Jillta u liruan nga akuzat. Trupi gjykues, por edhe prokurori i çështjes Jonatan Rathel e cilësuan një fatkeqësi faktin që Këshilli i Europës dhe shteti i Zvicres nuk kanë pranuar që t’i heqin imunitetin deputetit Dick Marty për dëshmuar në këtë rast.
Kjo e ka pamundësuar që të verifikohen pretendimet e Marty për ndonjë lidhje mes veprimtarisë së klinikës “Medicus” me pretendimet e tij për transplantim organesh në Shqipëri.
“Paneli i gjykatës shprehu zhgënijimin që nuk u dëgjua Marty si dëshmitar dhe për refuzimin që Këshilli i Evropës bëri për heqjen e imunitetit. E dini se Dick Marty në raportin e tij tha se kishte dëshmi që e lidhte klinikën “Medicus” me pretendimet të trafikimit të organeve gjatë luftës në Kosovë. Unë mendoj se ai do të ishte jetike dëshmia e tij për prokurorinë dhe trupin gjykues. Pra, ishte për të ardhur keq”, deklaroi Rathel.
Prokurori i çështjes u shpreh i kënaqur me vendimin e gjykatës. Ai prezantoi fotografi të doktorit turk Jusuf Somnez, i cili dyshohet se ka qenë kryekirurgu në transplantimin e veshkave në klinikën “Medicus”. Sonmez aktualisht ndodhet në arrati dhe dyshohet se po kryen këtë veprimtari të paligjshme në një vend afrikan.
Top Channel