Laç, përplasje me armë, vritet 25-vjeçari

29/04/2013 20:30

Një përplasje me armë zjarri është verifikuar mbrëmjen e së hënës në Laç, ku si pasojë e të shtënave ka gjetur vdekjen një i ri 25-vjeçar.

Lajmin e bëjnë të ditur burime policore lokale, sipas të cilave viktima është identifikuar si shtetasi Besar Ndreu, i cili ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në Spitalin Ushtarak.

Sipas burimeve, nga konflikti i armatosur, i ndodhur në fshatin Sanxhak, një person tjetër, Glentin Bajraktari, ka mbetur i plagosur.

Burimet shtojnë më tej se ngjarja nuk është zbardhur ende, por dyshohet që bazë e saj të ketë qenë një sherr mes të rinjve, që ka degjeneruar në armë.

Fatkeqësisht, krimet kundër jetës nuk kanë qenë të rralla së fundmi. Një ditë më parë një tregtar u vra në tregun e fruta-perimeve në qytetin e Lezhës.

Ngjarja ndodhi rreth orës 8:30 minuta, kur Dashamir Qyrku u gjet i plagosur rëndë me armë zjarri në pjesën e qafës dhe humbi jetën gjatë transportimit për në spital.

Viktima, një 40-vjeçar nga Shijaku, ushtronte aktivitetin e tij në Lushnje. Policia shoqëroi një numër të madh dëshmitarësh okularë dhe nga dëshmitë e tyre identifikoi si të dyshuar për krimin një agjent privat taksash, Besnik Meçaj.

Informacionet e mbledhura bënin fjalë për një debat të ashpër verbal mes tregtarit me agjentin privat tatimor, që punonte për shoqërinë që administron tregun e Lushnjes.

Ndërkohë, vetëm brenda ditës së premte, tre shtetas u vranë për shkaqe pronësie dhe hakmarrjeje në Tiranë, Tropojë e Lezhë.

Top Channel