Juventus, 1 pikë larg titullit kampion

28/04/2013 19:00

Me një gol të Arturo Vidal në minutën e 86-të, Juventus arrin të triumfojë në derbin torinez me numër 152.

Në “Olimpico” të Torinos, nën prezencën e reshjeve të shiut, ndeshja ka qenë shumë e dyluftuar dhe e ashpër, por që gjen zgjidhje vetëm në 10 minutat e fundit.

Rezultati 2-0 u siglua pas goditjes së fuqishme nga distanca e kilianit dhe nga një gol i mesfushorit Marchisio. Ndërkohë, ka patur protesta nga “granata”-t për një faull në zonën e rreptësisë të Bonucci-t, në minutën e 81, kundër Jonathas, vetëm pak metra larg portës, por që nuk u akordua nga arbitri.

“Mole Antonelliana” vishet kështu sërish me ngjyrat bardhezi. Derbi i 152-të i ka shkuar Juventusit, pas më shumë se 80 minutash të kaluara në një gjendje anonimati, mes një sfide të ashpër fizike dhe nën reshjet e shiut.

Por, fundi ishte tepër i zjarrtë, duke nisur që nga penalltia e paakorduar për Jonathas, e duke vazhduar me dy golat e Vidal e Marchisio-s, brenda 6 minutash.

Për bardhezinjtë mjafton tashmë një pikë në sfidat e ardhshme, duke nisur nga takimi me Palermon në shtëpi, më 5 maj, për të festuar titullin e dytë radhazi në Itali.

Për Torinon e Ventura-s, cështja për mbijetesë komplikohet shumë me rezultatet e fundit, pasi kanë mbetur vetëm 4 pikë avantazhi ndaj Palermos dhe Genoa-s, ku me këta të fundit do të përballet në vijim.

… Tre gola ka shënuar Fiorentina, për t’i rrëmbyer, të paktën përkohësisht, Milanit vendin e tretë, i vlefshëm për kualifikimin në Champions-in e sezonit të ardhshëm.

Në “Luigi Ferraris”, skuadra e drejtuar nga Montella mposht 3-0 Sampdorian dhe gjendet tashmë 2 pikë para Milanit, i cili do të ndeshet në mbrëmje me Catania-n në “San Siro”.

Cuadrado kalon në avantazh “viola”-t në të 36-n, pas një “predhe” nga 35 metra, më pas Ljajic dyfishon në të 41-tën. Mbyll llogaritë Aquilani në minutën e 73, ndërkohë që Sampdoria mbeti edhe me 10 lojtarë, pas kartonit të kuq të Gastaldello-s.

… Shpërthen Osvaldo në sfidën e kësaj jave për Romën, kundër Sienës në kryeqytet, duke i ngjitur verdheblutë në vendin e 5-të në klasifikim, përpara Udinese-s dhe Inter-it.

Verdhekuqtë dominojnë gjatë gjithë ndeshjes, duke luajtur një lojë me pasime të shkurtra mes sulmuesit italo-argjentinas dhe Lamela-n, që konkludojnë me gola në minutat 14 dhe 16.

Reagimi i Sienës ka qenë i vakët, ku vlen të theksohet vetëm një goditje e Emeghara-s, e pritur në pozicion nga Lobont. Në minutën e 41-të Osvaldo mposht sërish Pegolo-n, ndërsa në pjesën e dytë shënon “tripletën” personale, por edhe golin e 4-t për Romën.

Top Channel