Emisioni “Pasdite në Top Channel” kishte një të ftuar special: aktorin e madh shqiptar Robert Ndrenika. 70-vjeçari foli për dramën-satirë “Shhht… fol me zë të ulët”, ku interpreton së bashku me aktorin Viktor Zhusti.
“Unë jam një baba që shkoj në ambasadën ku punon djali dhe jeta ime si vizitor ngatërrohet me atë të punonjësve të ambasadës”, shpjegon Ndrenika. Vepra është vënë në skenë në teatrin e Fierit dhe aktori i famshëm u shpreh i lumtur për mënyrën se si është pritur ajo.
“Jemi pritur shumë mirë. Java e parë ka qenë e jashtëzakonshme dhe u rikthye spektatori në teatër. Kjo më gëzoi më shumë”, theksoi Robert Ndrenika, i cili deklaroi se ka shumë aktorë që i pëlqejnë, por që nuk i ka kopjuar kurrë.
“Në fillim kisha aktorë të preferuar, por me kalimin e kohës doja vetëm të bëhesha vetvetja. Po të mundohesh të kopjosh, nuk bën përpara. Duhet të gjesh veten tënde në art.”
Top Channel