Ora gjermane e futbollit

25/04/2013 15:30

Harrohen golat, harrohen fitoret, trofetë, statistikat e lojtarëve, opinionet e diskutimeve të ndryshme, pasi studimi i fundit tregon që një skuadër të fillojë një erë të re futbollistike, duhet të shndërrohet në zgjedhjen e parë të njerëzve që luajnë video-game.

Kohët e fundit Bajerni i Mynihut dhe Borusia e Dortmundit janë shndërruar në të tilla. Bavarezët kanë monopolizuar Bundesligën e këtij sezoni me 20 pikë avantazh dhe me 75 gola plus të shënuar, ndërkohë që dy netë më parë shkatërruan 4-0 Barcelonën. Sigurisht që Bajerni ka qenë një superfuqi europiane sa i përket futbollit edhe pse e ka fituar titullin e fundit në vitin 2001.

Por në 4 vitet e fundit ka mundur të kalojë 2 herë në finale, ose 3 nëse do të marrim të mirëqenë kualifikimin e këtij sezoni. Trajneri Jup Hajnkes zhvlerësoi “tiki-takan” katalanase me lojën e tij fizike, me markime të forta, mbrojtje vigjilente dhe pasime të drejtpërdrejta. Myler, Shvajnshtajger, Martinez, Riberi dhe Roben bën të mundur gjunjëzimin e Barcelonës dhe mes tyre vetëm Roben është 30 vjeç, në moshë më madhore se të tjerët.

Pavarësisht këtij dominimi në çdo ndeshje, Jup Hanjkes është i destinuar t’i lërë vendin në fund të këtij sezoni Pep Guardiolës, arkitektit të Barcelonës së madhe, asaj që pamë vitet e shkuara.

Dhe ky dominim i Bajernit ndiqet nga ai i Borusias së Dortmundit të udhëhequr nga Jurgen Klop. Vitin e shkuar fituan ata Bundesligën dhe Kupën e Gjermanisë, ndërsa në Champions në këtë sezon shkatërruan klubet miliardere të Mançester Sitit dhe Realit të Madridit në fazën e grupeve.

Ndërkohë, madrilenët e Murinjos i gjunjëzuan një natë më parë 4-1. Dortmuni ëshë një skuadër e rimodeluar vitet e fundit, me emra jo shumë të mëdhenj, por me lojtarë që funksionojnë në mënyrë perfekte, ashtu si strukturat drejtuese të këtij klubi me mesataren e më shumë tifozëve në Europë, 80.000 të tillë. Të gjitha këto suksese janë arritur brenda kuotave normale, pasi asnjë skuadër gjermane nuk ka pronar apo president të vetëm që të shpenzojë çmendurisht si në futbollin anglez apo edhe atë spanjoll.

13 dollarë kushton bileta më e lirë për të ndjekur Borusian, ndërkohë në një stadium anglez kaq kushton një pije freskuese që konsumohet gjatë ndeshjes, pasi bileta ka diçka më shumë se dyfishin e çmimit. Kjo është një strategji në Gjermani për të përthithur sa më shumë tifozë dhe efektet janë të dukshme, ndryshe nga klubet e tjera të mëdha europiane. Tashmë është era gjermane në futbollin e klubeve, një dominim të cilin e reklamojnë pas këtyre dy ndeshjeve gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve me rezultatin 8-1.

Top Channel