Iniesta: Cikli i Barçës nuk ka përfunduar

25/04/2013 16:15

Andres Iniesta ishte futbollisti i Barcelonës që u paraqit para mediave sportive spanjolle pas disfatës së Mynihut dhe mesfushori “azulgrana” ftoi skuadrën e tij “të luftojë deri në fund në ndeshjen e kthimit ndaj Bayern”.

“Remontada” – Duhet të besojmë se mund të përmbysim rezultatin (4-0) dhe të gjejmë mënyrën për ta bërë këtë gjë. Duhet të shënojmë gola dhe kemi për detyrë të përpiqemi deri në fund. Nuk them që do i bëjmë 5 gola, por duhet të shfrytëzojmë çdo mundësi që na paraqitet. Kur nuk ke gjë për të humbur, ndodhin gjëra që nuk i pret.

Cfarë ndodhi në Mynih
– Na mundën në të gjitha aspektet, por jo sepse e nënvlerësuam ndeshjen. Ata janë në një formë të shkëlqyer dhe duhet ta pranojmë.

Fundi i ciklit të Barcelonës – Nuk është e drejtë të flitet për përfundimin e një cikli sepse një cikël përfundon kur ke disa vite pa fituar. Kemi fituar në pesë vitet e fundit 2 Champions dhe 4 kampionate. Nuk mund të përmbledhësh pesë vite në ndeshjen e Mynihut. Sezonin tjetër do të kthehemi të luftojmë për tituj dhe duhet të përmirësohemi nëse duam të fitojmë Ligën e Kampioneve.

Humbja e Realit – Bayern Munchen dhe Borussia Dortmund janë dy skuadra të forta në të gjitha aspektet. Nuk mund të thuhet se ne dhe Reali jemi më dobët apo se Liga është më e dobët se Bundesliga. Thjesht mund të thuhet se aktualisht gjermanët janë më mirë.

Top Channel