Sa pas u ktheve doktor?

24/04/2013 00:00

Aleksander Cipa – Fitorja jonë, të dashur aleatë, do të imitojë fitoren e
vitit 1992. Kjo ishte pak a shumë fjalia e fundit e Kryeministrit
Berisha në takimin përmbyllës me 24 partitë aleate të koalicionit të ri
elektoral “Aleanca për Punësim, Mirëqenie dhe Integrim”.

Ishte një premtim për fitore të shkëlqyer si ajo e fillimit të karrierës së tij politike. Në planin propagandistik, kjo duket një gjetje, por në vështrimin kritik, shumëkush e kupton lehtë se tashmë PD-ja dhe aleatët e rinj të saj, të shumtë aritmetikisht, por të paktë specifikisht, nuk e kanë fare të lehtë të arrijnë një fitore të shëmbëllyer me atë të shembjes së komunizmit. Është një dëshirë utopike dhe një referencë prej prologut politik të vetë politikanit Berisha. Një tjetër shenjë e shfaqur apo e dalë prej nënndërgjegjes së politikanit që vijon të këmbëngulë për të qëndruar jo vetëm në politikë, por sidomos në qeverisje të këtij vendi.

Pavarësisht se është fokusuar në tri prej “shtyllave” që përbëjnë brengën dhe peshën specifike të dhimbjes sociale të shoqërisë sot, pra punësimit, mirëqenies dhe integrimit, sërish ligjërimi i tij para ansamblit të ri të aleatëve, nuk mund ta eklipsojë rrethanën në të cilën gjendet përgatitja dhe ecuria e fushatës elektorale. Kryeministri Berisha edhe në këtë ditë pagëzimi elektoral, ka gjetur mundësinë ta kthejë shqetësimin ndërkombëtar për përgatitjen dhe situatën e administrimit zgjedhor në vend, në element akuzimi për kundërshtarët e vet politikë. Asnjë fjalë për thelbin e asaj çka u diskutua në Uashington me temën: “Zgjedhjet parlamentare të qershorit, një test për demokracinë në Shqipëri”. Në këtë konferencë të posaçme dhe natyrisht edhe disi domethënëse për vëmendjen që SHBA-ja investon ndaj zhvillimeve në Shqipëri, Jonathan Moore nga Zyra e Çështjeve të Europës Qendrore e Jugore në DASH, i cili pak ditë më parë ishte në Tiranë në takime intensive, apeloi se zgjedhjet duhet të arrijnë standarde demokratike. “U bëj apel partive politike që zgjedhjet të zhvillohen në datën e caktuar”. Dhe po dje, në kuadër të zhvillimeve të paralajmëruara të kësaj fushate, zyrtari i lartë i Departamentit të Shtetit, shtoi: “Procesi duhet të jetë i lirë dhe i ndershëm, KQZ-ja të sigurojë zgjedhjet. Ne do të vëzhgojmë, nuk duhet të tolerohet dhuna. Dhe shtoi: “Opozita ka vendosur të mos ndryshojë qëndrim për KQZ-në. Nëse KQZ-ja nuk funksionon, nuk do të zhvillohen zgjedhjet”. Një pohim i tillë i ripërsëritur, nuk është thjesht shprehje e një droje amerikane për procesin e fiksuar shqiptar, por lexim serioz i pandryshueshmërisë në qëndrime të dy palëve të fiksuara tashmë në koalicionet respektive elektorale. Në një gjatësi vale, mbërrin edhe shqetësimi i BE-së përmes zërit të komisionerit për Zgjerim, Stefan Fyle, nga Luksemburgu: “BE-ja pret progres për sa i përket procesit zgjedhor. Do të dërgojmë ekipe vëzhguesish për zgjedhjet e 23 qershorit”.

Reagimet ndërkombëtare dhe optimizmi patetik i Kryeministrit Berisha për një fitore si ajo e 21 vjetëve më parë, në vetvete nuk janë një mospërputhshmëri, por një ekuacion me disa të ditura që kanë vlerën e të panjohurave.

Zgjedhjet kanë hyrë në ditët e vështira, jo për shkak të konkurrencës që do të ofrojnë dy koalicionet me emra të rinj. As për shkak të antagonizmit që shfaqin mes tyre dy liderët kryesorë Berisha dhe Rama. Zgjedhjet po bëhen të vështira kësaj here, për shkak se ato po afrohen të diskutueshme, së pari për një krizë në institucionin kryesor të administrimit të tyre siç është KQZ-ja. Kriza në KQZ nuk është e thjeshtë, as e riparueshme me marrëveshje të llojit të njohur të politikës së tranzicionit si në rastet “Berisha-Nano”. Kjo krizë është ndërkombëtarizuar, jo si krizë procesi, por si krizë e zëvendësimit të ligjit me marrëveshje të një kohe të shkuar. Shqetësimi amerikan për këtë prishje të KQZ-së aktuale, lexohet qartë si parathënie e një krize që paraprin dhe mesa duket, do të vijojë përgjatë fushatës dhe procesit të hapur zgjedhor. Në këtë proces, palët nuk gjenden në asimetri force dhe mundësish. Loja e vjetër për imponim dhe forcë pushteti që parathuhet të riluhet prej Kryeministrit Berisha, kësaj here merr semantikën e pastër të recidivizmit. Hamendësimi për tendenca manipuluese apo cenim të rezultatit real të votimeve, nuk është vetëm një thashethem i qarkulluar opozitar, por një syçelësi dhe reagim institucional i diplomacisë së huaj dhe organizmave monitorues ndërkombëtarë. Kriza e KQZ-së po dimensionohet si problem paraprak themelor i zgjedhjeve dhe kjo do të thotë se pozita po merr paraprakisht riskun e përgjegjësisë për cenim apo ulje të standardit të pretenduar dhe kërkuar zgjedhor ndaj Shqipërisë.

Këtë situatë, natyrisht edhe vetë Kryeministri e ka brengë dhe dilemë në sy. Në çdo dalje dhe artikulim të vet publik, ai nuk harron se koalicioni i ri i “halave dhe ngjalave”, kësaj here ka një lehtësi të re lundrimi drejt rotacionit. Është koha dhe nevoja që mbart ajo për një ndryshim jo të ndenjur, por me tejkalim. Këtë nevojë kësaj here e ndien dhe e kërkon opinioni dhe vendi, jo për shkak të ambicies së koalicionit që u kompozua përballë Kryeministrit Berisha, por për arsye të ikjes nga statusquoja e një qeverisjeje të konsumuar. Këtë nevojë dialektike nuk mund ta injorosh dhe aq më tepër ta eklipsosh propagandistikisht me dëshirën penguese dhe optimizmin e shtirur të një fitoreje që imagjinativisht dëshiron t’i ngjajë asaj të kohës së re që përmbysi pashmangshmërisht të vjetrën. Me dëshirën për të ripërsëritur fitoren e 1992, “Doktor je kthyer shumë pas?!”

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA