F1, “Pirelli”: Nuk ka revolucion gomash

24/04/2013 18:20

“Pirelli” nuk ka ndërmend të modifikojë në mënyrë të ndjeshme gomat e saj në këtë sezon, pavarësisht pakënaqësive të disa skuadrave për konsumin e shpejtë të tyre, në katër garat e para.

Degradimi i këtyre gomave ka detyruar që shumë prej skuadrave të detyrohen të planifikojnë garat e tyre zakonisht me tre ndalesa, por edhe me katër në disa raste.

Përballë këtyre pakënaqësive, “Pirelli” kishte informuar më parë se Bahreini do të ishte testi në të cilin do të vendosej nëse do të realizoheshin më pas modifikime apo jo.

Megjithatë, gjatë takimit të bordit të kompanisë italiane të prodhimit të gomave në Milano, drejtori i përgjithshëm i sektorit të Formulës 1, Paul Hembery, theksoi se nuk do të ketë asnjë revolucion: “Skuadrat nuk duhet të presin ndryshime thelbësore. Në fund të fundit, asgjë e rëndësishme nuk do të ndryshojë. Përpara një viti, ankesat ishin edhe më të mëdha, por me kalimin e kohës, skuadrat kuptuan se si duhet të përdornin gomat. Ju garantoj që e njëjta gjë do të ndodhë edhe në këtë sezon”.

Pavarësisht përgënjeshtrimit të Hembery për ndryshime thelbësore, besohet se gjithsesi do të ndodhin disa modifikime, me gomat që mund të bëhen pak më të forta në secilin lloj të tyre, për të rritur kohëzgjatjen e përdorimit të tyre gjatë një gare.

Top Channel