Aleancat, opozita e fitoi sfidën

24/04/2013 00:00

Skender Minxhozi – Aleanca më e bujshme e zgjedhjeve të 23 qershorit,
ajo mes PS-së dhe LSI-së, pati një kurorëzim pompoz dhe njëherësh
provokativ (për qeverinë) të hënën e shkuar, në djepin historik të së
djathtës zyrtare, në Shkodër.

Rama dhe Meta shtrënguan duart në një sfond ku ish-presidentë e zyrtarë të lartë nga Ballkani, shoqëronin me duartrokitje një bashkim, i cili mesa duket do të anojë përfundimisht balancën e forcave në votimet e përgjithshme. Ky gjest shoqëroi të gjithë periudhën e përgatitjes dhe formësimit të koalicioneve elektorale, duke imponuar në fakt rikonceptimin e tyre, si dhe duke ndryshuar thellësisht përllogaritjet fillestare të disa prej aktorëve të rinj apo të vjetër politikë. Me shumë gjasë, aleanca PS-LSI nxiti hamendjet e një afrimi tjetër të bujshëm, atij mes Berishës e Topit, i cili nuk ndodhi. Ashtu siç duket se ka futur në krizë marrëdhëniet mes PS-së e AK-së, të cilat dukeshin të destinuara të garonin së bashku. Përtej këtij zhvillimi dhe ndërsa Kreshnik Spahiu nuk ka vendosur ende zyrtarisht sesi do të hyjë në zgjedhje, teksa, shkruhen këto rreshta, mund të nxirren disa konkluzione rreth grupimeve politike që sapo janë krijuar.

Do të jenë 67 partitë politike që do të paraqiten në zgjedhje. Pesë prej tyre nuk i kanë plotësuar kushtet për të garuar. Ndërsa mbeten për t’u zbardhur edhe formalisht të gjitha siglat që do të rreshtohen nga njëra anë brenda “Aleancës për Shqipërinë Europiane” të opozitës dhe “Aleancës për Mirëqenie, Punësim dhe Integrim” të qeverisë, mund të bëhet me siguri një konsideratë e parë: kësaj radhe e majta e ka zgjatur shumë “trenin” e saj elektoral, duke e çuar në mbi 40 parti politike. Kësisoj, për herë të parë qëkurse PD-ja është në pushtet, kjo e fundit do të paraqitet në zgjedhje me më pak aleatë se PS-ja, vetëm 24 të tillë. Ikja e dhimbshme e LSI-së, rezistenca e Topit, çarja e çamëve dhe refuzimi insistues i Dules, janë goditje të rënda për aleancën qeveritare. Padyshim më të rënda, sesa efekti kompensues i prurjeve të tilla si demokristianët apo LZHK-ja, ose edhe tre deputetët socialistë të “prenotuar” në minutën e fundit.

Parimisht numri i siglave brenda secilit koalicion, nuk përkthehet në dominim të njërës palë mbi tjetrën. Por mesa duket, nuk është vetëm kjo rrethanë që kësaj radhe shkon kundër Kryeministrit Berisha. Sali Berisha vjen i dobësuar dukshëm në këtë fushatë të radhës, të dytën që nga ngjitja në pushtet në vitin 2005. Mandati i dytë katërvjeçar qeverisës i PD-së ka qenë gjithçka, përveçse një eksperiencë pozitive. Krahasuar me mandatin e parë, kur luftohej krimi, kishte rritje të dukshme ekonomike dhe arka e shtetit nuk ishte ajo që është sot, ky fundmandati i dytë ngjan me një meshë funebre, më shumë sesa me një marsh gazmor.

Sikur këto të mos mjaftonin, qeveria vjen në këtë takim zgjedhor praktikisht e rrethuar në planin ndërkombëtar. Mjafton të lexosh raportin e fundit të Departamentit Amerikan të Shtetit, ose edhe deklarime të zyrtarëve të lartë europianë e amerikanë, ku flitet hapur për kapjen e shtetit nga një forcë e vetme politike, që të kuptosh humorin e ngrysur të Uashingtonit, por edhe të Brukselit e qendrave të tjera të mëdha, ndaj qeverisjes në Shqipëri. Në katër vjetët e dytë të drejtimit, Berisha ia ka arritur të acarojë të gjithë faktorët kryesorë ndërkombëtarë, sa me tezat e nacionalizmit absurd, aq edhe me paaftësinë për të kontrolluar korrupsionin, krimin dhe për të frenuar etjen për pushtet të pakufizuar. Duket qartë se ka një lodhje të ndërkombëtarëve, e kur ajo ndodh në pragzgjedhje, zakonisht shoqërohet me rotacion politik. Sa për t’u qëndruar besnikë precedentëve, mjafton të kujtojmë vitin 2005.

Koalicionet e mëdha tashmë kanë marrë formë. Jashtë tyre ka mbetur përfundimisht FRD-ja e Bamir Topit, ndërsa po vendos në këto orë AK-ja e Kreshnik Spahiut. Sido që të jetë vendimi i Spahiut, dalja më vete e FRD-së përbën një gjest kurajoz të ish-presidentit, i cili nëse nuk do të arrijë të prodhojë masën kritike për të marrë mandate deputetësh, do të ketë padyshim një efekt negativ mbi votat e koalicionit qeveritar. Qëndrimi parimor i FRD-së përballë bjerrjes morale të marrëdhënieve politike në javët e fundit, shënon një avantazh jo të vogël etik të kësaj partie, në raport me pjesën tjetër të spektrit politik.

Nga ana tjetër, vendimi që AK-ja pritet të marrë, do të ketë edhe ai influencën e tij mbi konsolidimin ose jo të mëtejshëm të grupimit të madh opozitar. Spahiu është ftuar të marrë një vendim kompleks në këto orë. Nëse ai i bashkohet trenit të opozitës, fitorja e kësaj të fundit i zgjeron edhe pak më shumë premisat për të qenë e thellë. Ndërkaq, nëse AK-ja vendos të dalë e vetme në zgjedhje, ajo do të duhet të llogarisë me kujdes efektin e “sanduiçit” që prodhon fushata, i cili, së bashku me natyrën diskriminuese të Kodit Zgjedhor për partitë e vogla, mund të sjellë pasoja në rezultatin e saj. Pasi e ka nisur garën zgjedhore prej një viti, AK-ja e gjen veten tani në pozitën delikate të menaxhimit të shenjave të para të konsumimit dhe të rënies së pulsit që e motivoi gjatë këtij harku kohor.

Gjithsesi, ky rreshtim forcash, siç ne e shohim të konfiguruar sot, i jep shumë më tepër qetësi opozitës, sesa qeverisë. Barazimi virtual i vitit 2009, të cilin e kanë aq shumë për zemër avokatët e tezës së mosndryshimit, tashmë duket një rrobë e vjetër dhe e tejkaluar. Dinamika elektorale ku po hyjmë, po krijon përditë e më tepër frymën e rotacionit politik dhe të ndryshimit të pashmangshëm të pushtetit. Opozita e fitoi sfidën e parë. Atë të rreshtimit në fushën e betejës zgjedhore. Të tjerat do të shihen më pas.

Gazeta “Shqip”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA