Në kuadër të vitit të Vagnerit, i cili po festohet në mbarë botën në nderim të gjeniut të muzikës, në Teatrin e Operas dhe Baletit do të vihet në skenë, si një premierë absolute, një nga krijimet më madhështore të kompozitorit të shquar gjerman, Opera Tanhojzer.

“Ju kemi thirrur që të tregojmë diçka nga puna e madhe që ka filluar për realizimin e projektit më ambicioz të 60-vjetorit të krijimit të Operas dhe të zhvillimit të aktit skenik në Shqipëri. Por, për herë të parë gjithashtu, për realizimin e një vepre të tillë në skenën shqiptare. Kjo vjen si një frut i bashkëpunimit të gjerë, i një pjesëmarrje të gjerë të artistëve tanë, por gjithashtu të prezencës së disa artistëve, që vijnë enkas për dhënien e kësaj vepre”, tha Zhani Ciko, drejtor i TKOB.

Vepra do të vijë për publikun me ndihmën e Fondacionit ndërkombëtar “Muzikë dhe Art” dhe do të realizohet me pjesëmarrjen e muzikantëve nga Shqipëria, Kosova, si dhe vende të tjera të botës.

“Është një event i rëndësishëm, i cili do të vendosë operan shqiptare në skenën botërore, po rrit vëmendjen botërore dhe kjo është shumë entuziasmuese”, tha Nicholas Thaw, përfaqësues i Fondacionit ndërkombëtar “Muzikë dhe Art”.

Jonathan Khuner, i cili ka vënë në skenë opera, edhe në prestigjiozen “Metropolitan Opera House” në Nju Jork dhe në San Francisko opera, është përzgjedhur si dirigjent, ndërsa regjia i është besuar Daniel Helvgot.

“Kjo opera është pjesë e një tradite të gjatë, që amerikanët ruajnë, por këtu vjen shumë më e freskët, diçka që po e ndërtojmë për herë të parë, diçka shumë entuziasmuese, këtë nuk mund ta gjej në Amerikë”, tha Jonathan Khuner, dirigjent “Opera Tanhouser”.

Tanhojzer është një opera me tre akte, historia e së cilës bazohet në luftën midis dashurisë së shenjtë e profane dhe shpengimit mes dashurisë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA