NBA, Playoff: Miami e Oklahoma ok, Lakers ko

23/04/2013 04:50

Gjithcka e lehtë për Miami Heat në sfidën e parë të “play-off”-eve të NBA. Kampionët në fuqi kanë mposhtur 110-87 Milwaukee Bucks dhe shkojnë më të qetë në sfidën e dytë, e cila do të luhet sërish në parketin e tyre.

“Vrasësi”, si gjithmonë, mbetet LeBron James, i cili nuk mundi të bënte “tripletën” e shifrave “dopio”, pas 27 pikëve, 10 topave në tabelë dhe 8 asist. 15 pikë për Chris Bosh dhe 16 për Dwayne Wade. Një ndeshje thuajse e pa diskutuar në asnjë moment, por Milwaukee del nga parketi me nderin e pikëshënuesve më të mirë: Jennings 26 pikë dhe Ellis 22 pikë.

Fitore e mjaftueshme në sfidën e parë edhe për San Antonio Spurs, që mposhtin 91-79 Los Angeles Lakers, në mungesë të Kobe Bryant. Spurs-at fitojnë kështu një sfidë ndaj një emri të madh, pa shumë sforco: 18 pikë nga Tony Parker, 17 nga Tim Duncan, ndërsa Lakers-ave nuk u mjaftojnë 20 pikët e Howard në parketin e teksanëve.

Edhe Oklahoma City Thunder, finalistët e vjetshëm, e nisin me buzëqeshje, pas fitores bindëse 120-91 ndaj Houston Rockets, ku luan ish-i i tyre, James Harden (20 pikë për të). Thunder-sat i mbyllin shumë shpejt llogaritë, falë furisë së treshes Durant (24), Westbrook (19) dhe Ibaka (17).

Kompletojnë raundin e parë të “play-off”-eve, suksesi i Indiana Pacers kundër Atlanta Hawks, 107-90. Spikat prova e shkëlqyer e Paul George, i cili realizon “treble-double” me 23 pikë, 11 topa në tabelë dhe 12 asist. Për Hawks nuk mjaftojnë 21 pikët e Teague.

Ndërkohë, mëngjesin e së martës kanë nisur ndeshjet e dyta, me fitoren e Chicago Bulls ndaj Brooklyn Nets 90-82, duke barazuar përballjet në 1-1.

Top Channel