Ndër librat e botuar në vitin 2012, numrin më të madh të autorëve e kanë përbërë autorët shqiptarë, mbi 370. Përsa i përket zhanrit, gjithashtu ka qenë një surprizë dominimi i librave me poezi dhe sërish me autorë shqiptarë.
Këto kanë qenë shifrat e bibliotekës kombëtare të bëra publike gjatë një debati mbi librin në Fakultetin e Filologjisë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Librit dhe të drejtës së autorit.
Dhurata Shehri, shefe e Departamentit të Letërsisë pranë Fakultetit Filologjik, thekson se “ka pasur shumë më tepër botime nga letërsia shqipe dhe jo nga ajo e huaj siç prisnim”.
Ndër të tjera, specialistë të fushës kanë diskutuar mbi problematika të lidhura me librin si mungesa e një numri të mjaftueshëm kritikash letrare si dhe mosrespektimi i të drejtave të autorit.
Ndërsa ministri i Kulturës, Visar Zhiti, ka deklaruar në një tjetër aktivitet në librarine “Friends Book House” se institucioni që ai perfaqëson do të dhurojë një numër të caktuar botimesh albanologjike në këtë ditë ku kremtohet roli i librit në shërbim të njerëzimit: “Këtë vit ministria do të dhurojë një fond të konsiderueshëm me botime me karakter albanologjik.”
Trajtimi nga autorët e huaj i figurës së rëndësishme historike të Ali Pashë Tepelenës ka qenë në qendër të aktivitetit të organizuar nga Biblioteka Kombëtare. Monografia e akademikut grek të shekullit të kaluar, Spiro Mela, “Luani i Epirit, Ali Pasha dhe Suli”, kushtuar shqiptarit të njohur, i cili vjen këto ditë i përkthyer për publikun shqiptar, është promovuar në një nga sallat e bibliotekës.
Pjesë e festimeve ka qenë edhe një ekspozitë me botime të përzgjedhura origjinale nga fondi i bibliotekës për Ali Pashën nga autorë të huaj të botuara në këto dy shekuj.
Top Channel