Itali, duart e mafias tek bastet

22/04/2013 16:45

Disa eksponentë të mafias së rajonit të Kampanias, në Itali, janë arrestuar nga policia e vendit fqinj, e cila ka shkatërruar një sistem për mbledhjen e basteve ilegale online për ndeshjet e futbollit.

Sipas mediave italiane, agjentët kanë kryer sekuestrime me vlerë 3 milionë euro, ndërkohë që arrestimet u janë komunikuar 38 personave, 15 prej të cilëve ndodhen në burg, 6 në arrest shtëpie dhe 17 me urdhër-ndalim për të jetuar në rajonin e Kampanias.

Sipas burimeve, akuzat që rëndojnë ndaj tyre janë pjesëmarrje në organizatë mafioze dhe ushtrim ilegal të aktiviteteve të lojrave dhe basteve online. Arrestimet janë kryer në Napoli, Kazerta, Kalabri, Pulia dhe Siçili.

Nga hetimet e kryera nga Antimafia dhe Reparti i Operacioneve Speciale është zbuluar një sistem i artikuluar që i mundësonte organizatës të mblidhte baste mbi ndeshjet e futbollit, duke përdorur platforma informatike ilegale, ndryshe nga ato që ofrohen nga konçesionarët e autorizuar nga shteti.

Hetuesit kanë zbuluar gjithashtu se, në platformat informatike ilegale manipulohej vizualizimi i disa prej evenimenteve sportive, për të orientuar vëniet e basteve në dëm të bastexhinjve që nuk ishin në dijeni për këtë manipulim.

Top Channel