Gjobëvënia e denjë për filma

22/04/2013 00:00

Pak muaj më parë tre djem së bashku me 25-vjeçaren Raviola Lila u deklaruan si personazhet më të fundit të zbuluara nga policia e prokuroria si autorë të dyshuar të një gjobëvënieje të denjë për skenar filmash.

Sipas grupit të hetimit, Raviola, 25 vjeçare dhe nënë e një fëmije tre vjeç, joshte biznesmenë të martuar duke i çuar ata në shtrat, ndërsa më pas i kërcënonte me anë të telefonit se kishte pamje filmike të cilat do t’ia tregonte grave të tyre nëse ata nuk paguanin para.

Kallëzimi është bërë nga shtetasi me iniciale J.M, të cilit i kërkoheshin 100 milionë lekë prej të pandehurve. Por avokati Bashkim Sulstarova deklaroi para Gjykatës së Krimeve të Rënda një tjetër version që vendos në pikëpyetje gjithë rrjedhën e hetimeve të deritanishme.

Sipas avokatit, motra e njërit prej të pandehurve, Altin Dardhës, ka një fëmijë me kallëzuesin, i cili nuk ka marrë përsipër as edukimin dhe as rritjen e tij.

E për këtë, Dardha ka vendosur të bëjë vetëgjyqësi duke tentuar t’i sigurojë lekët prej kallëzuesit nëpërmjet skenarit të mësipërm, ku për të vënë në jetë këtë plan ka kërkuar edhe ndihmën e shoqërisë.

“I nderuar kryetar i trupës gjyqësore, ne duam ëe mos jetë media pasi kjo është një histori më shumë personale se sa gjobëvënieje”, ka deklaruar avokati.

Nga ana tjetër, gjyqtari Gurali Brahimllari deklaroi se në dosjë në fakt është administruar një çertifikatë e lindjes së fëmijës që ka si atësi kallëzuesin J.M.

Në përfundim gjykata vendosi të pranojë kërkesën e të pandehurve për gjykim të shkurtuar, ndërkohë që proçesi do të zhvillohet pa praninë e medias, pasi prek jetën e disa personave.

Raviola, nënë e një fëmije 3 vjeç, ka lënë ambjentet e burgut pasi ka nën kujdestari fëmijën. Ndërkohë që ajo së bashku me Altin Dardhën, Rustem Koçin dhe Ervin Gjanën akuzohen për gjobëvënie me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë.

Top Channel