Çështja “Dritan Dajti”

22/04/2013 00:00

Ashtu sikurse flitej në rrugë jozyrtare, Komiteti i Disiplinës e nisi mbledhjen e parë pas ndryshimeve në ligj me një listë avokatësh për të cilët gjykata kërkon masa disiplinore për proçesin ndaj Dritan Dajtit.

Në krye të 12 emrave të parë që do të dëgjohen nga Komiteti i Disiplinës është avokati Hasaf Haderaj, mbrojtësi i zgjedhur më herët nga Dajti, por që më pas u tha se ai nuk kishte mundësi ekonomike ta mbronte.

“Mesa duket, më kanë thirrur për Dajtin. Nuk e di, por besoj për Dajtin. S’e kuptoj pse, Dajti s’më paguan më dhe unë nuk e mbroj. Kaq është e gjithë situata dhe ligji e parashikon këtë gjë”, ka deklaruar Haderaj.

Nga ana tjetër, Virgjil Karaj, kryetar i Komitetit të Disiplinës ka deklaruar: “Në listë janë 12 emrat e parë, për një seri çështjesh të veçanta”.

Ndërsa kreu i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, Maksim Haxhia deklaroi se të gjitha mbledhjet e Komitetit të Disiplinës do të jenë transparente.

Ky miniproçes ndaj avokatëve do të zhvillohet i tillë sipas ligjit të ri, jo vetëm me kërkesë të gjykatave, por edhe për rastet kur vetë klientët ankohen për mbrojtësit e tyre.

Top Channel