95 vite më parë, më 22 prill të 1918-ës, lindi në Ishëm një nga piktorët më të mirë shqiptarë, Ibrahim Kodra, i cili, pas transferimit në Itali, me talentin e tij u bë i njohur edhe në rang ndërkombëtar.
Për të kremtuar ditën e tij të lindjes, në Galerinë Kombëtare u mblodhën artistë të fushës dhe ministri i Kultures, Visar Zhiti.
Pas studimeve në Akademitë e Arteve të Bukura mes Romës dhe Milanos, Ibrahim Kodra ekspozoi punët e tij në qytete të rëndësishme arti italiane, por edhe në Paris, Zvicër, Neë York; në ekspozita personale, por edhe të tjera kolektive, përkrah emrave të njohur të pikturës, si Pablo Picasso e Salvador Dali.
Sigurisht, ka patur ekspozita dhe në Tiranë. Sipas kritikëve, ai kishte një stil unik. Stilit të periudhës së vonë të kubizmit, ai i shtonte edhe elementë orientalë mesdhetarë, pasojë e rrënjëve të tij ballkanike, siç janë shprehur ata.
Kodra krijoi edhe lidhje me piktorët Picasso, Chagalle, Matis, dhe një sërë emrash të rëndësishëm të kritikës e artit botëror.
Ai u nda nga jeta më 7 shkurt të 2007-ës, në Milano, duke lënë pas një krijimtari prej rreth 6000 veprash, të cilat gjenden në muze e galeri të ndryshme dhe në koleksione private.
Në lidhje me talentin e tij, thuhet se Pablo Picasso është shprehur se, edhe firma e Ibrahim Kodrës është një vepër arti.
Top Channel