Në spitalin onkologjik të QSUT-së, ku shtrohen pacientët e prekur nga tumoret, gjatë gjithë vitit ka mungesa të vazhdueshme të citostatikëve, medikamentet bazë për trajtimin e tumoreve.

Floriani është 25 vjeç, nga Peqini, dhe babai i tij thotë se gati gjysmën e mjekimit e ka blerë në farmacitë jashtë spitalit.

Furnizimi i Spitalit Onkologjik me citostatikë ka pasur gjithmonë probleme.

Flutura, nga Tirana, ka tre vjet që mjekohet pranë këtij spitali dhe gjatë këtyre tre viteve tregon se i ka blerë medikamentet e kimioterapisë në farmacitë jashtë QSUT.

Por, a i plotëson nevojat për medikamente buxheti që akordohet çdo vit, nga Ministria e Shëndetësisë për Spitalin Onkologjik? Mjekët thonë jo, pasi, ndonëse numri i pacientëve ka ardhur në rritje, gati 6 mijë raste të reja çdo vit, buxheti është rrudhur vit pas viti.

Shifra rekord e arritur deri më tani i përket vitit 2007, kur ish-ministri i Shëndetësisë, Maksim Cikuli, i akordoi QSUT afro 4 milionë dollarë për blerjen e citostatikëve.

Por, nga viti 2009 e deri më sot, kjo shifër u reduktua. Në 2009 fondi për blerjen e citostatikëve ishte afro 1.7 mln dollarë, në 2010 fondi u rrit me 50 përqind, rreth 3.5 mln dollarë, në 2011 ky fond u reduktua në 3 mln dollarë dhe në 2012 u akorduan 2.7 mln dollarë, po aq sa është përcaktuar edhe për vitin 2013.

Kërkesat zyrtare të këtij spitali për medikamente janë gati 5-fish më shumë se sa fondi që akordohet, por zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësië thonë se për plotësimin e nevojave për citostatikë nevojiten gati 15 mln dollarë, aq sa është sot në total gjithë fondi i QSUT për blerjen e medikamenteve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA