Superiorja, një ligë e “paqtë”

21/04/2013 19:00

Java e 23-të e Superiores nuk ndryshoi asgjë, sa i takon kreut, sepse Kukësi vijon të mbetet i dyti, i ndjekur me një pikë më pak nga durrsakët dhe vlonjatët.

Skënderbeu shtyn festën e zyrtarizimit të titullit, teksa në tri javët e mbetura të garës i nevojitet vetëm 1 pikë, për ta përmbushur objektivin e vet madhor, për të tretin vit radhazi.

Flamurtari e ka gjetur shumë shpejt golin ndaj Skënderbeut, që në minutën e 4-t. Migen Memelli shënon në portën e Shehit dhe, si kryegolashënues i Superiores, kap shifrën e 19 golave.

Një ndeshje pa atë tensionin dhe “armiqësinë” e sezoneve të shkuara, ndoshta këtu ka ndikuar fakti se korçarët e kanë siguruar “de facto” titullin.

Besa priti Kukësin, në një ndeshje ku kërkonte pa dyshim pikët e plota, por ai gol i bukur i Prognit, tre minuta pasi kishte filluar pjesa e dytë, dhe penalltia e finalizuar saktë nga Allmuça, në minutën e 70-të, ua kanë prishur planet, madje ua kanë ngatërruar jo pak llogaritë për mbijetesën.

Kavajasit janë tashmë vetëm katër pikë para Shkumbinit, kur kanë mbetur të luhen edhe tri ndeshje nga Superiorja, dy prej të cilave verdhezinjtë i kanë në transfertë: ndaj Vllaznisë dhe Bylisit.

Teuta ka vuajtur shumë ndaj skuadrës fierake. Durrsakët e kanë mbyllur pjesën e parë në disavantazhin 1-0, falë asaj penalltie të shndërruar në gol nga Andi Ribaj, ndërsa me fillimin e pjesës së dytë u rikthye ekuilibri, po nga pika e bardhë.

Më pas është Daniel Xhafa, ai që mbas topit të marrë nga Osmani shënon golin e dytë, që i dha fitoren durrsakëve, që mbeten në vendin e tretë, me një pikë më pak se Kukësi i vendit të dytë.

Top Channel