Banka Botërore paralajmëron qeverinë se ulja e taksave, e pashoqëruar me ndryshimet kompensuese në buxhet, mund të ketë pasoja të dëmshme për ekonominë.
Në një intervistë me e-mail për Top Channel, të autorizuar nga shefja e Bankës Botërore në Shqipëri, Ksenia lvovski, paralajmërohet:
“Praktika e zbatuar përgjithësisht në Shqipëri, për të harmonizuar politikën e taksave me hartimin e buxhetit, është shumë më superiore, se sa ndryshimi i taksave në mes të vitit fiskal. Kjo rrugë, vetëm sa shton presionet në balancat fiskale të vendit, që duhet ta kompensojnë uljen e të ardhurave, ose duke shkurtuar shpenzimet, ose siç ka ndodhur në të kaluarën, duke rritur detyrimet e prapambetura të qeverisë. Kjo do të zhbënte çdo impakt të mundshëm pozitiv, i cili është synuar nga ulja e taksave”.
Në intervistën, që është përgatitur nga stafi i ekspertëve të zonjës lvovski, pasi aktualisht ndodhet në Washington, paralajmërohet se kriza ekonomike globale pritet të vazhdojë edhe për disa kohë. Banka thotë se, presioni mbi ekonominë mund të zbutet nga ndërhyrjet afatshkurta, por janë reformat strukturore, ato që vlejnë për të arritur një rritje të qëndrueshme ekonomike.
“Nëse këto reforma nuk përshpejtohen, çdo ndërhyrje afatshkurtër vetëm sa do të fitonte pak kohë, por kjo në kurriz të përkeqësimit të financave publike”, – vijon intervista.
Ekspertët e Bankës mendojnë se kriza aktuale është pasojë e ndrydhjes së kërkesës, përkatësisht rënies së konsumit në nivele më të ulëta, nga ajo që mund të prodhojë ekonomia. Ndaj – paralajmërojnë ata – orientimi drejt polikave nxitëse, që synojnë të rrisin më tej prodhimin, në vend të këtij rezultati, mund të çojnë në rritjen e kapaciteteve të papërdorura prodhuese. Në këtë situatë, Banka Botërore këshillon se, mënyra më e mirë për t’u përballur me krizën është orientimi nga kërkesa e jashtme, pra eksportet, që sipas ekspertëve të saj nxiten përmes investimeve të huaja.
“Niveli i lartë i investimeve të huaja, gjatë viteve të fundit, dëshmon se Shqipëria i ka kapacitetet për t’i tërhequr ato. Në këto kushte, është shumë e rëndësishme mbajta e këtij ritmi dhe kjo kërkon një ambient të qartë biznesi që, përveç reformave thelbësore si pronat dhe energjia, kërkon financa të qëndrueshme publike”, përfundon intervista.
Top Channel