Bahrein, protesta përpara garës së F1

21/04/2013 13:20

Aktivistët anti-qeveritarë në Bahrein u përballën me policinë dhe bllokuan rrugët e kryeqytetit Manama, pak orë përpara se gara e Formulës 1 të niste.

Sipas protestuesve, qeveria që ata po përpiqen të rrëzojnë shfrytëzon garën për të fituar mbështetje ndërkombëtare dhe për të mbuluar abuzimet me të drejtat e njeriut brenda vendit.

Princi i Kurorës së Bahreinit, Princi Salman, reagoi në mediat ndërkombëtare duke thënë se një paketë reformash janë duke u zbatuar në vend dhe se autoritetet nuk po shfrytëzojnë Formulën 1 për të fituar pikë në imazh apo forma të tjera.

Si rrjedhojë e paqëndrueshmërisë politike në vend, pritet që numri i spektatorëve në këtë garë të jetë më i ulët se zakonisht.

I drejtuar nga një mbret aspak popullor me prejardhje sunite, Bahreini, ku popullsia në shumicë është shiite, prej gati dy vitesh përjeton një paqëndrueshmëri politike, të karakterizuar nga shtypjet e dhunshme të lëvizjeve pro-demokratike nga forcat e sigurisë në vend.

Një vend ishullor me 1,3 milionë banorë, Bahreini ndodhet pranë brigjeve të Emirateve të Bashkuara Arabe, Katarit dhe Arabisë Saudte.

Falë rezervave të naftës, vendi ka një standart të lartë jetesë, por kjo nuk e ka ndihmuar që të shmangë përfshirjen në vorbullën e “Pranverës Arabe”.

Top Channel