Akademiku kosovar Rexhep Qosja është nderuar nga bashkia e Rrëshenit me titullin Qytetar Nderi. Gjatë promovimit të botimit më të fundit të tij, “Shqipëria dhe Kosova”, profesor Qosja tha se në këtë studim argumentohet se të këqijat më të mëdha si komb shqiptar ia kemi bërë vetes.
Qosja tha se nxitjen për këtë libër e mori nga ngjarja e rëndë e 21 janarit, ngjarje që siç tregon ai, i shkaktoi një pakënaqësi të madhe, duke bërë që libri të hapet me kapitullin: Shteti Vrasës.
“Protestues të Anglisë hyjnë në Kuvendin e Anglisë, sikurse edhe në vende të tjera të botës. Bëjnë edhe shkatërrime, por nuk i vret policia. Te ne i vranë dhe nuk jam i sigurt se herë të tjera nuk do të vrasin”, u shpreh Qosja.
Qosja foli për pakënaqësinë, zhgënjimin, revoltën për atë që e quan “pushtetin e dhunshëm në Shqipëri”, që nis që nga gjuha e përdorur.
“Ku në botë qeveritë flasin me atë gjuhë fyese dhe kërcënuese? Pse të ndodhë tek ne kështu? Ka ardhur koha ta ndërrojmë këtë gjuhë politike”, theksoi Qosja.
Akademiku Rexhep Qosja, i pyetur më pas nga gazetarët për zhvillimet politike, përshëndeti bashkimin e opozitës shqiptare dhe shprehu bindjen tek fitorja e saj në qershor.
I pyetur për ndërhyrjet në standartin e gjuhës shqipe, Qosja tha se ka nevojë për pasurimin e saj, por nuk duhet të ndryshohet standarti dhe përjashtimet të bëhen rregulla, pasi kjo është e rrezikshme për gjuhën.
Top Channel