Bulqizë, vritet biznesmeni i kromit

20/04/2013 18:20

Një biznesmen kromi është vrarë, ndërsa vëllai i tij është plagosur rëndë në një sulm me armë zjarri të ndodhur paraditen e së shtunës në qytetin e Bulqizës.

Burime policore lokale bëjnë me dije se viktima është 40-vjeçari Shefqet Shehu, ndërsa i plagosuri, Vehab Shehu, është dërguar në Spitalin Ushtarak për shkak të gjendjes së rëndë.

Ata u qëlluan në një lokal vetëm 200 metra larg komisariatit të policisë nga shtetasi Fadil Tërnova, i cili u arrestua një orë pas ngjarjes teksa po përpiqej të arratisej në Maqedoni.

Informacionet nga hetimet paraprake tregojnë se gjithçka lidhet me një konflikt të vjetër të ndodhur në vitin 2009, në vendin e quajtur Pishat. Në atë kohë shtetasi Vehab Shehu është plagosur rëndë me armë zjarri nga autori i vrajes së fundit.

Dy vëllezërit janë përplasur sërish me autorin e ngjarjes në një lokal në qendër të qytetit. Fadil Tërnova është larguar e më pas është rikthyer me një motor, duke qëlluar me pistoletë e duke lënë të vrarë në vend 40-vjeçarin Shefqet Shehu.

Ky i fundit ishte bashkëpronar në një galeri kromi në zonën D të minerave në Bulqizë, një zonë e pasur me krom, e cila ka prodhuar shumë konflikte me pasoja të rënda, me të vrarë e të plagosur.

Top Channel