Sulm me dronë pranë kufirit me Venezuelën, gjashtë ushtarë të vrarë, dhjetëra të plagosur në Kolumbi
Sipas Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Siria po përballet me një krizë humanitare ku të paktën 7 milionë njerëz kanë nevojë të menjëhershme për ndihmë në ushqime dhe ilaçe.
Lufta ka mbërritur në portat e Damaskut, por përvec sulmeve sporadike, asnjëherë nuk ka prekur zemrën e kryeqytetit sirian. Jeta këtu duket normale, një tjetër histori ku njerëzit ngrihen në mëngjes, shkojnë në punë e rikthehen në mbrëmje të qetë, pavarësisht se vetëm pak kilometra larg dëgjohen të shtëna artilerie apo armësh të lehta.
BBC realizoi një dokumentar për Damaskun. I dërguari i këtij televizioni për Lindjen e Mesme, Jeremy Bowen thotë se qendra e Damaskut vazhdon jetën normale, kjo falë masave të siguruara nga regjimi që e ka shndërruar kryeqytetin në një bunker të vërtetë për të shmangur infiltrimin e rebelëve të armatosur.
Në qendër, një prej skuadrave të futbollit të kryeqytetit po zhvillon përgatitjet e fundit për takimin e radhës…
Kjo siguri e ky “normalitet” në Damask i ka kushtuar regjimit të presidentit Bashar al-Assad miliona dollarë dhe humbje të mëdha ushtarake, por megjithatë ai vazhdon të mbahet fort.
Për momentin, thotë BBC, rebelët nuk kanë fuqinë dhe organizimin të thyejnë mburojën e regjimit, ndërsa ky i fundit ka vendosur mijëra trupa këmbësore, artileri të rëndë dhe qindra tanke në cdo hyrje të qytetit.
Lufta në Siri, thotë korespondenti i BBC për Lindjen e Mesme, nuk është thjesht një cështje siriane, por e gjithë rajonit dhe e komunitetit ndërkombëtar. Ndërsa vende të ndryshme vazhdojnë të mbështesin me armë dhe forma të tjera anën e tyre të preferuar, ajo që mbetet për popullin sirian është dëshpërimi.
Banorët e Damaskut kanë humbur lidhjet me pjesët e tjera të vendit dhe kryeqyteti është shndërruar në një ishull të vogël të blinduar ku është shumë e vështirë të hysh dhe shumë herë më e vështirë të dalësh, thotë i dërguari i BBC.
Top Channel