Galliani: Juve, jo më e fortë se Milan

19/04/2013 18:05

Adriano Galliani ka folur gjerë e gjatë për aktualitetin e Milanit për ‘La Gazzetta dello Sport’. Administratori i deleguar i Milanit ka theksuar se Juventusi nuk është skuadër më e mirë se Milani edhe pse po fiton titullin kampion për herë të dytë radhazi në Serinë A.

“Blerja e parë e sezonit të ardhshëm do të jetë një mbrojtës, por jam i bindur se edhe kështu siç jemi, Milani nuk është inferior ndaj Juventusit. Në 24 javët e fundit të kampionatit kemi një ritëm të njëjtë. 15 pikët e disavantazhit janë grumbulluar të gjitha në 8 javët e para”, theksoi Galliani, i cili foli edhe për momentin jo të mirë të sulmuesit El Shaarawy.

“Është mirë fizikisht, testet janë pozitive. Është vetëm paksa i lodhur mendërisht dhe kjo është normale sepse është 20 vjeç dhe ka luajtur më shumë se kushdo tjetër. Kundër Juventusit mendoj se do të niset si titullar”, tha administratori i deleguar i Milanit.

Kur u pyet kë do të rikthente po të kishte mundësi mes Thiago Silva dhe Ibrahimovic, Galliani zgjodhi qendërmbrojtësin: “Nuk do e them se kë do ktheja tek Milani sepse mërzitet tjetri, por në Itali fiton ai që pëson më pak gola.”

Top Channel