Skender Minxhozi – Një lojë e fatit deshi që viktima e parë e bashkimit
të së majtës të mos jetë Sali Berisha, por delfini i tij politik Lulzim
Basha.
Kreu i bashkisë së kryeqytetit do të ketë të bëjë me një shumicë të majtë në Këshillin Bashkiak, çka do t’ia vështirësojë jo pak punën. Brenda harkut të dy javëve, u vërtetua kështu se kalimi i LSI-së në opozitë nuk do ta shpëtonte as Tiranën nga goditja sizmike e fushatës elektorale, siç kujtohej se do të ndodhte. Tashmë kampet janë “ngjizur” plotësisht dhe Meta nuk ka ndërmend t’i akordojë bashkisë së drejtuar nga ish-miku Basha, statusin special të një “Berlini” të pasluftës së Dytë Botërore.
Kalimi majtas i zyrtarëve të LSI-së në të gjitha nivelet e pushtetit lokal, po i jep formë një përmbysjeje të vërtetë të numrave në qeverisjet lokale, që e ka nxjerrë papritur qeverinë në një minorancë të dukshme, edhe më të thellë sesa ajo që u pa të nesërmen e zgjedhjeve vendore të majit 2011, kur opozita fitoi gjerësisht në të gjithë territorin. Paralelisht me këtë ofensivë frontale në pushtetin lokal, dy anëtarët e KQZ-së të propozuar nga opozita, kanë dhënë dorëheqjen, duke e thelluar edhe më tej krizën serioze në të cilën gjendet institucioni i zgjedhjeve, pas sherrit për largimin e Ilirian Muhos. Një ngjarje kjo, që mesa duket shërbeu edhe si element përshpejtues i afrimit të PS-së me LSI-në, duke i dhënë kësaj të fundit imazhin e një viktime të pushtetit. E të mendosh se vetëm njëzet ditë më parë ky skenar ngjarjesh do të bënte të shpërthente në të qeshura mosbesuese çdo banor të këtij vendi.
Realiteti i ri politik i krijuar rikthen praktikisht pas raportin e forcave të vitit 2007, e para dhe e fundit herë kur PS-ja e LSI-ja u rreshtuan së bashku. Origjina e kësaj aleance të dytë, që shumëkujt i është dukur me të drejtë amorale dhe pse jo e pështirë, ka në bazë të saj një numër faktorësh. Një pjesë e të cilëve indirekt rrjedhin sërish nga prezenca dhe emri i Sali Berishës. Përtej dëshirës së LSI-së për t’u kthyer në basenin e saj ideologjik, përtej presionit katërvjeçar të PS-së me kartën morale të “tradhtisë së votave të majta”, llogaritë e Ilir Metës duket se kanë qenë të ftohta dhe të zhveshura nga emocionet. Gjuha e ashpër që zyrtarët më të lartë të LSI-së (deri dje ministra apo funksionarë të qeverisë aktuale), përdorin pa teklif dhe pendesë ndaj Kryeministrit, dëshmon qartë veç të tjerash, edhe mungesën e vështirësisë për të sulmuar një figurë politike me të cilën kanë bashkëjetuar “me kontratë” për katër vjet, por pa krijuar ndonjë afrimitet. Dje Ilir Meta deklaroi se me Berishën është ndarë si qytetar, porse ky i fundit “e ka të vështirë të ndahet si i tillë”. Një përcaktim ky që zbulon se aleati qendror i PD-së në mandatin që ende s’ka përfunduar, tashmë e ka hedhur pas shpine pa asnjë hezitim kohën e dikurshme, duke i kthyer pa asnjë hezitim shpinën ish-partnerit të tij të djathtë.
Kur sheh këtë shkëputje totale, që u përforcua edhe nga përplasja për KQZ-në, të pushton ndjesia se politika shqiptare (ashtu si në gjithë pjesën tjetër të botës), nuk njeh as moral, as etikë. Por pasi ke përtypur shijen e keqe që të lë në gojë ky kapërcim ylberi (e kjo po ndodh me shpejtësi te votuesi i majtë), nuk mund të mos vëresh sesa pa nostalgji dhe vrasje ndërgjegjeje e këputi LSI-ja litarin që e mbante lidhur pas qeverisë Berisha. E shkaku kryesor mesa duket duhet kërkuar jo vetëm te karakteri i panatyrshëm i aleancës PD-LSI, por edhe te stili qeverisës i Kryeministrit. Në tetë vjet, Berisha bëri në pushtet atë që di të bëjë më mirë: kultivoi ndarjen ideologjike e partiake, instaloi kulturën e urrejtjes ndaj kundërshtarit dhe ngriti një shtet të ngjyer në blu. Kryeministri refuzoi thuajse çdo shtrirje dore dhe zbutje tonesh, ndërmori një agresion verbal të pashoq ndaj opozitës dhe luftoi pa kompromis kundër të gjitha institucioneve të pavarura. Derisa i mori të gjitha në dorën e tij. Shqipëria përjeton prej tetë vjetësh një monarki kryeministrore, siç e ka cilësuar Arben Malaj. Në shumë deklarata të fundit, kreu i LSI-së e ka nënvizuar elementin e përqendrimit të të gjitha pushteteve në një dorë, si një defekt që duhet rregulluar “me anë të një ekuilibri të ri politik”.
Kur Berisha caktoi si President Nishanin, shumëkush parashikoi jo pa të drejtë se, përtej socialistëve, as LSI-ja dhe kryetari i saj nuk do ta pëlqenin aspak këtë zgjedhje “brenda shtëpisë”. Zhbalancimi i shtetit dhe përqendrimi i jashtëzakonshëm i kompetencave në një dorë, duket sot si një ndër shkaqet kryesore që solli kalimin e Metës në opozitë. Ashtu siç duhen llogaritur si arsye paralele edhe konsumi i jashtëzakonshëm i kreut të qeverisë dhe i kabinetit të tij, pas dy mandatesh aspak të thjeshtë. Ilir Meta e kuptoi se varka e mazhorancës ishte e pariparueshme dhe se uji po hynte nga të gjitha anët. Ai iku në momentin e fundit të mundshëm, duke u përkujdesur që t’i jepte këtij spostimi pamjen e një misioni shpëtimtar për opozitën, më shumë sesa atë të një pazari të radhës për veten.
Kësisoj, nëse sot kemi një aleancë të re opozitare, e cila po përmbys plot sfidë raportin e forcave në pushtetin lokal, kjo i dedikohet ndër të tjera, edhe stilit drejtues të Kryeministrit, arrogancës së tij qeverisëse, prishjes graduale me ndërkombëtarët dhe konsumit të imazhit që ai përfaqëson sot në jetën politike të vendit. Dhe mesa duket, Ilir Metës kjo i del e i tepron.
Top Channel