Leksionet e akademikut Qose

18/04/2013 15:35

“Shqipëria dhe Kosova, si janë dhe si do të duhej të jenë” titullohet libri më i fundit i akademikut të shquar Rexhep Qosja, të cilin autori e ka promovuar në sallën e tejmbushur të Muzeut Historik Kombëtar, në prani të politikanëve, personaliteteve të ndryshme të vendit si dhe shumë prej adhuruesve të veprës së tij e kontributit të veçantë në shërbim të çështjes kombëtare. 

Libri përmbledh një sërë esesh e shkrimesh të viteve të fundit, të cilat reflektojnë mendimin e autorit mbi ngjarje të rëndësishme politike e sociale që kanë ndikuar në jetën e shqiptarëve në të dy anët e kufirit.

Prof. dok. Rexhep Qosja deklaroi: “Demokracia është tolerancë, transparencë dhe marrëdhënie mes njerëzve. Kjo demokraci nuk ekziston në Shqipëri dhe Kosovë dhe libri im pikërisht këtë tregon.”

Historiani Paskal Milo e ka quajtur Rexhep Qosen “një kollos multidimensional të mendimit shqiptar”, ndërsa kolegu i tij Pëllumb Xhufi e ka cilësuar librin si një analizë të hollë e të pamëshirshme të realitetit shqiptar të këtyre 20 viteve.

Botimi vjen për lexuesin si një lloj revolte mospajtuese e autorit ndaj gjendjes dhe nevojës për ndryshim të saj. Një mospajtim i cili, siç thotë vetë Qosja në parathënien e librit, është çështje jo vetëm e etikës së tij intelektuale, por njëkohësisht e përkushtimit të tij ndaj Shqipërisë dhe Kosovës.  

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA