Klopp: S’kam dilema, qëndroj tek Borusia

18/04/2013 19:10

Largimi i mundshëm i Jose Mourinho nga Reali i Madridit në fund të sezonit është një çështje jashtë interesit të Jurgen Klopp, i cili nuk ka asnjë dyshim që e ardhmja e tij do të vazhdojë të jetë Borusia e Dortmundit.

”Kur të takohemi me Mourinhon në gjysmëfinale do ta pyes se çfarë do të bëjë sezonin e ardhshëm, pasi unë e di që do të jem trajneri i Borusias, vetëm në mos më shkarkofshin. Nuk kam asgjë për të vendosur”, deklaroi Klopp, në një intervistë të përkthyer në shtypin spanjoll.

”Pa dyshim, është një nder fakti që emri im shihet si zevendësues i mundshëm i Mourinhos. Është më mirë të thuhet se Reali do vetë Klopp, se sa të kundërtën, që duan këdo përveç Klopp, por planet e mia janë të qarta”.

I pyetur për ballafaqimin e dyfishtë me Realin, Klopp pranoi se kërcënimi kryesor do të jetë Cristiano. “Reali ka një skuadër shumë të talentuar, që kërkon zotërimin e topit dhe të që luajë përpara në sulm. Është e rëndësishme që Ronaldo të mos mbetet asnjëherë vetëm. Kryesorja është t’i sulmojmë, të mos i japim kohë të organizohen dhe të bëjnë futbollin që duan. Mendoj se informacioni është i bollshëm për të dy trajnerët, pasi të dy skuadrat njihen që prej fazës së grupeve”.

Top Channel