Futbollistet e kombëtares drejt Botërorit

18/04/2013 17:30

Për herë të parë, ekipi kombëtar i futbollit për femra është kualifikuar në paraeleminatoren e Kampionatit Botëror të zhvilluar në Maltë.

Fitorja mund të quhet historike pasi Shqipëria arriti të kualifikohej duke fituar ndaj përfaqësueses së Letonisë 2 me 0 dhe ndaj asaj të Luksemburgut 2 me 1. Ndeshja e tretë me Maltën doli në barazim, por edhe pse vendi ynë e kishte përvojën e parë në këtë pjesëmarrje, mundi të siguronte dy rezultate pozitive në ndeshje zyrtare duke hedhur një hap të sigurt në fazën eliminatore që do të zhvillohet në muajin shtator.

Shanset janë të mëdha për ekipin kuq e zi, entuziasmi është i lartë, jo vetëm për kualifikimin, por edhe për faktin se u mundën skuadra me traditë mbi 10-vjeçare në futboll. Tekniku Altin Rraklli ka zgjedhur lojtaret më të mira nga kampionati shqiptar si dhe lojtare me origjinë shqiptare që luajnë në kampionate elitare nga Europa në Australi.

Për fazën e ardhshme shorti ka përcaktuar se Shqipëria do të jetë në grup me Hollandën, Norvegjinë, Portugalinë, Belgjikën dhe Greqinë. Nëse eleminatorja do të shkojë mbarë, atëherë Shqipëria do të jetë gati për fazën tjetër të kampionatit botëror “Kanada 2015” i cili është i shtati në radhë, por që do të jetë i pari me 24 ekipe pjesëmarrëse.
Kështu që Europa do të prezantohet me tetë skuadra, Azia me 5, Afrika me 3, Amerika Qendrore dhe Veriore me 3, Amerika e Jugut me 2, Oqeania me 1 dhe Kanadaja si vend organizator. Kampionati do të zhvillohet në gjashtë qytete: Edmonton, Monkton, Monreal, Otava, Vankuver dhe Uinipeg. Kampione në fuqi e Botës është Japonia, ndërkohë që Gjermania dhe Shtetet e Bashkuara e kanë fituar atë nga dy herë secila. I pari konkurrim për ekipin më të mirë të botës për femra është zhvilluar në vitin 1991, traditë e cila vazhdon dhe sot.

Gjakovarja e dashuruar me fushën e gjelbër

Tashmë miti i futbollit si sport vetëm për meshkuj është thyer. Prej vitesh në perëndim, ekipet e vajzave që kanë zbuluar pasionin për futbollin janë shtuar, edhe pse futbolli tradicionalisht është një lojë meshkujsh.

Në vendin tonë, kombëtarja e femrave ka mbi dy vjet që është formuar. Mes lojtareve të formacionit, është dhe 23-vjeçarja Cyme Lulaj, një vajzë nga Gjakova, por që jeton në Tiranë, pas ftesës që i është bërë për t’ju bashkuar ekipit të kombëtares së vajzave të Shqipërisë.

Cdo ditë Cymja del nga banesa ku jeton në “Rrugën e Durrësit”, për tu drejtuar ambienteve të Universitetit të Sporteve “Vojo Kushi” ku e reja studion. Më pas, koha mbushet me orë të gjata stërvitje që është e vështirë t’i llogarisësh.

Ka më shumë se14 vjet që luan futboll. Kontakti i saj i parë me topin ka qenë që në moshën 7-vjeçare, kur vajza luante me një ekip modest në Kosovë, të quajtur “Gjakova 2003”. Pas një përvoje 3-vjeçare në këtë skuadër, për adoleshenten vjen ftesa nga një tjetër skuadër gjakovare, “Erenike Gjakovë”. Nuk vonoi shumë dhe talenti i Cymes u pikas nga trajneri i kombëtares së futbollit të vajzave, Altin Raklli, i cili e ftoi menjëherë të talentuarën t’i shtohej formacionit të kombëtares.
 
Aktualisht, e reja përveç kombëtares, luan futboll me ekipin e “FC Kinostudio”. Cdo ditë e gjen në fushat e stërvitjes në Kamëz, vend që kalon kohën më të madhe. 23-vjeçarja nuk e fsheh dot entuziazmin që përfaqëson Shqipërinë, teksa përshkruan momentet e para që u mirëprit nga vajzat e tjera të ekipit: “Të gjitha shoqet më kanë pritur shumë mirë dhe ndihem e kënaqur që luaj me fanellën kuqezi.
 
Sipas përfaqësuesve të kombëtares, Cymja është një nga talentet e reja që premton shumë për të ardhmen. Forma e saj fizike dhe teknika që zotëron në fushë janë garanci për një karrierë të ndritur në sportin “jo vetëm” të meshkujve.

Top Channel