F1, Massa kërkon fitoren e tretë në Bahrein

18/04/2013 16:40

Felipe Massa ka mbërritur në Bahrein, aty ku ka fituar dy herë në karrierë dhe shpreson që ta bëjë këtë gjë për herë të tretë ditën e dielë.

Piloti i Ferrarit deklaron se i pëlqen shumë pista e Sakhirit: “Është një cirkuit me vija të drejta të gjata dhe kthesa të forta. Kam fituar dy herë këtu dhe siç thotë ajo shprehja: nuk ka dy pa tre…”

Më pas, braziliani u pyet për shokët e skuderive të tij: “Gjithmonë kam pasur pilotë të mëdhenj. Shumë njerëz mendojnë se kjo nuk është gjë e mirë, por unë them se kjo më ka ndihmuar shumë. Kur ke një kampion në skuadër, mundohesh të bësh më të mirën e mundshme dhe mëson prej tij.”

Massa analizoi për ‘La Gazzetta dello Sport’ edhe problemet që hasi në garën e Kinës dhe atë që e pret në Bahrein: “Kisha probleme me gomat gjatë gjithë fundjavës, por në Bahrein do të përdorim gomat e forta dhe nuk do të kem probleme, ashtu siç nuk kisha probleme në Malajzi.”

Top Channel