Tensionet në Gadishullin Korean vazhdojnë të rriten, ndërsa Korea e Veriut paralajmëroi ditën e martë se sulmi i saj do të vijë pa paralajmërim.
Ndonëse diplomacia amerikane, europiane dhe kineze është e përfshirë intesivisht në uljen e tensioneve, nuk ka asnjë shenjë që të sugjerojë një tërheqje të Penianit nga kërcënimet e tij me shfarrosje bërthamore për Korenë e Jugut, Japoninë dhe bazat amerikane në Azi.
Provokimet e shtetit diktatorial janë motivuar nga sanksionet e ashpra që iu imponuan, pas lëshimit të një sateliti nëpërmjet një rakete me rreze të gjatë veprimi në dhjetor dhe një prove bërthamore në muajin shkurt, të dyja në kundërshtim me rezulotat e OKB-së, të firmosura më parë nga vetë Peniani.
”Sulmi ynë mund të nisë pa asnjë paralajmërim, në çdo kohë duke nisur që tani”, shkruhej në një komuniktatë, të publikuar të martën në Agjensinë Koreane të Lajmeve “KCNA”.
Për Korenë e Veriut, veprimet e saj janë vetëm një “kundërpërgjigje e ofendimeve të vazhdueshme që vijnë nga autoritetet kukull të Seulit”.
Në deklaratë, “protestat e inskenuara kundër Koresë së Veriut në Seul” konsideroheshin si një akt kriminal.
Në të vërtetë, gjatë ditës, disa dhjetëra mijëra koreanojugorë protestuan në mënyrë paqësore dhe të vullnetshme kundër regjimit të diktatorit Kim Jong-un, duke mbajtur pankarta e duke djegur portretet e tij e ato të Veriut komunist.
Për shkak të përshkallëzimit të vazhdueshëm të krizës, Sekretari Amerikan i Shtetit, John Kerry, ndërmorri javën e shkuar një tur në Korenë e Jugut, Kinë dhe Japoni.
Ndërkohë, më parë gjatë të martës, Shtëpia e Bardhë informoi për mbajtjen e afërt të një vizite të presidentit Obama në Seul.
Top Channel