Ecclestone: Gara e Bahreinit nuk do të anullohet

16/04/2013 16:20

Pronari i Formulës 1, Bernie Eccleston, hodhi poshtë mundësinë e anullimit të garës së ardhshme në Bahreinit, për shkak të problemeve të brendshme me të cilat po përballet vendi ishullor.

I drejtuar nga një mbret aspak popullor me prejardhje nga një pakicë fetare, Bahreini prej gati dy vitesh përjeton një paqëndrueshmëri politike, të karakterizuar nga shtypjet e dhunshme të lëvizjeve pro-demokratike nga forcat e sigurisë në vend.

Megjithatë, në një intervistë të dhënë të martën, Eccleston përjashtoi që Formula 1 mund të përzihet në këtë çështje politike, ndonëse në vitin 2011, gara e Bahreinit u anullua për shkak të protestave të dhunshme, që i kushtuan jetën 35 civilëve.

”Do të më pëlqente që në lidhje me këtë çështje të gjenim të gjithë një zgjidhje. Nuk dua të shoh njerëz që protestojnë dhe përballen me policinë për gjëra që ne nuk i kuptojmë, sepse realisht nuk i kuptojmë. Nuk dua të shoh njerëz që rrezikojnë e ndëshkohen si rezultat i kësaj gare”, theksoi pronari i Formulës 1.

”Disa persona mendojnë se është faji ynë për problemet me të cilat përballet vendi. Ju siguroj se ne ndiejmë një simpati të thellë për ta, por të mos harroni se cili ishte ai që anulloi garën e Afrikës së Jugut gjatë Aparteitit? Unë! Megjithatë, mesazhi që duam të transmetojmë është një mesazh paqe dhe mos harroni se Formula 1 është vetëm një sport”, shtoi Ecclestone.

Top Channel