F1, McLaren kërkon agresivitet nga Perez

15/04/2013 13:50

Zëvendësuesit të Lewis Hamilton tek McLaren i është kërkuar të jetë shumë më agresiv gjatë garës nga drejtuesit e skuderisë. Sergio Perez deri tani ka grumbulluar vetëm dy pikë në tre garat e para të Formulës 1 dhe drejtuesit e skuderisë britanike janë shumë të pakënaqur.

Martin Whitmarsh deklaroi në lidhje me 22-vjeçarin: “Sergio ka qenë shumë i sjellshëm deri tani në pistë dhe unë mendoj se duhet të tregohet më i fortë. Tregohet shumë bujar kur e parakalojnë, por kam besim se do të përmirësohet në këtë aspekt.”

Shefi i McLaren shtoi: “I kam thënë që gjatë garës do të ketë duele të ashpra dhe ai duhet të tregohet agresiv pa kaluar kufijtë. E dimë që këtë sezon nuk i kemi dhënë një makinë të mirë, por Jenson Button po paraqitet më mirë me po të njëjtë njëvendëshe.”

Sergio Perez përfundoi në vendin e 11 garën e Kinës duke mos marrë asnjë pikë nga pista e Shangait.

Top Channel