Dortmund, me mijëra në radhë për një biletë

15/04/2013 20:20

Tifozë të Borusias së Dortundit u grumbulluan që prej orave të para të mëngjesit të së hënës, duke pritur në radhë hapjen e biletarive të klubit, ku do të shiten hyrjet për gjysmëfinalet e Champions League, me Realin e Madridit.

Radha nisi më shumë se 24 orë përpara se të nisin shitjet zyrtare, në orën 8:30 të ditës së martë, por përballë një kërkese aq të madhe për bileta, tifozët më të zjarrtë nuk dëshironin të rrezikonin.

Disa prej tifozëve gjermanë, në mënyrë origjinale, përfituan nga dita e mirë me diell, për të marrë rreze përpara zyrave të klubit, ndërsa të tjerë, kishin marrë batanije dhe çarçafë, për të fjetur në rrugë.

Stadiumi i Borusias ka një kapacitet prej 80 700 spektatorësh, por numri i biletave në shitje do të jetë shumë më i ulët, pasi një pjesë e mirë e vendeve janë të rezervuara për abonentët dhe të ftuar të tjerë.

Deri në orët e pasdites të së hënës, numri i tifozëve përpara biletarisë kishte arritur në disa mijëra.

Një biletë për gjysmëfinalen me Realin kushton midis 45-170 eurosh, ndërsa në internet, ajo mund të blihet për 300 euro.

Top Channel