Tek Red Bull s’ka paqe, Vettel sulmon Webber

11/04/2013 00:00

Paqe? As që bëhet fjalë. Dy pilotët e Red Bull-it, Sebastian Vettel dhe Mark Webber nuk bëjnë asgjë për të fshehur sadopak “armiqësinë e tyre” të lindur pas garës së Malajzisë.

Në atë garë, Vettel theu udhëzimin e marrë nga skuderia duke parakaluar Mark Webber që nga ana e tij kishten ulurn xhirot e motorit për të mos rrezikuar. Pas kësaj, piloti gjerman kërkoi falje publikisht për gjestin e tij duke u shprehur se i vinte keq që kishte vënë interesat e tij përpara atyre të skuadrës.

Menjëherë pas kësaj deklarate pritej që në garën e Kinës dy pilotët të shfaqeshin bashkë, qoftë kjo edhe me një buzëqeshje hipokrite në fytyrë. Por as kjo nuk ka ndodhur. Vettel shprehu edhe njëherë pendimin e tij për gjestin e bërë, por sulmoi shokun e skuadrës.

“Unë i kërkova falje skuadrës sepse vendosa interesat e mia personale para interesave të ekipit dhe për këtë më vjen keq, por Mark nuk e meritonte që të fitonte. Unë jam pilot gare dhe qëllimi im është t’i fitoj ato dhe sigurisht nuk mund të kërkoj falje që ia arrita qëllimit”, deklaroi nga Kina Vettel.

Pyetjes së gazetarëve se cfarë do të ndryshojë në marrëdhëniet mes tij dhe shokut të skuadrës, piloti gjerman iu përgjigj shkurt.

“Asgjë. Unë nuk kam marrë asnjë ndihmë nga ai, por nga skuadra e cila na mbështet të dyve njëlloj. Në të shkuarën Mark ka patur në dorë të ndihmonte skuadrën, por nuk ka dashur ta bëjë këtë dhe nëse do të gjendem sërish në atë situatë, me shumë gjasa do të ribëja të njëjtën gjë”, tha kampioni i botës në fuqi i Formula 1.

Gara për cmimin e madh të Kinës zhvillohet këtë javë dhe transmetohet drejpërdrejtë në Top Channel. Të shtunën në orën 08:00 janë provat zyrtare ndërsa të dielën në orën 09:00 me garën.

Top Channel