Ndryshimet në KQZ, juristët kundër

11/04/2013 00:00

Për të diskutuar lidhur me propozimin e Partisë Demokratike për zëvendësimin e anëtarit të KQZ-së të propozuar nga LSI, që kaloi në opozitë, që ka hapur një debat më shume politik se sa ligjor, në studion e edicionit qendror të lajmeve në Top Channel ishte i ftuar Gent Ibrahimin, jurist dhe konstitucionalist i njohur.

Ilir Paço – Zoti Brahimi jemi përpara një debati të fortë lidhur me ligjshmërinë e vendimit të Komisionit të Ligjeve për shkarkimin e një anëtari të KQZ-së pas rikonfigurimit të aleancave në nivel politik. Nëse në Kod propozimi i anëtarëve të pestë dhe të gjashtë bëhet respektivisht nga partia e dytë e koalicionit të qeverisë dhe partia e dytë koalicionit të opozitës, a duhet të ndodhë ky ndryshim kur ndryshojnë aleancat? A është Komisioni Zgjedhor reflektim i aleancave politike?

Gent Ibrahimi, jurist –  Debati është i fortë dhe i papritur sepse të gjithë mendonin se me këtë formulë politika kishte gjetur paqen. Por sic po shohim tani kjo nuk është e vërtetë dhe arsyeja besoj është fakti që këtu kërkohet të ndryshohet statusi juridik i institucionit. Mënyra si konstituohet KQZ është politike dhe kjo nuk është vetëm në Shqipëri. Në këto kushte mbetet opsioni i vetëm procesi politik i zgjedhjes. Por kjo formulë nuk duhet të ndryshojë statusin juridik të KQZ që duhet të jetë i pavarur. Ligji kur vjen puna për të larguar një anëtar të KQZ-së është i hekurt. Ligji thotë një listë shteruese se kur mund të largohet një anëtar i KQZ. Në këtë listë prej 7 pikash nuk ekziston kjo situatë. Jemi në një grackë për klasën politike, të ndërtuar nga vetë klasa politike.

Ilir Paço – PD shprehet se fryma e kodit parashikon që mazhoranca, kuptojmë kjo parti dhe aleatët duhet të kenë shumicën në komision dhe se me këtë mënyrë justifikohet edhe ndryshimi. Ndërsa opozita thotë se palët duhet të respektojnë kodin si është shkruar në rastin e shkarkimit të anëtarëve. Me kë qendron ligji në këtë rast? Pra, a jemi përballë logjikës se për zgjedhjet ka përgjegjësi qeveria dhe ajo duhet të ketë shumicën në KQZ?

Gent Ibrahimi – Jemi në një diskutim të vjetër të raportit mes gërmes dhe frymës së ligjit. Frymës i drejtohemi kur gërma na lë në baltë. Por në këtë rast gërma është shumë e qartë. Është e vërtetë që balancimi i këtij institucioni është politik, por bëhet vetëm brenda ligjit. Konsideratat politike janë të pranueshme në emërim, por jo në atë të shkarkimit sepse c’do të ndodhte nëse një gjë e tillë do të bëhej edhe me gjyqtarët?

Ilir Paço –  Nga njëra anë anëtarët propozohen dhe emërohen nga politika dhe nga ana tjetër cilësohen të pavarur. A nuk ju duket një hipokrizi kjo?

Gent Ibrahimi – Është njëlloj hipokrizie, eufemizëm, por këto janë kufijtë e veprimit dhe zgjidhjeve që mund të na japë ligji. Nuk është Shqipëria vendi i vetëm ku institucionet e pavarura emërohen prej një procesi politik, por nuk vihet në dyshim pavarësia e tyre. Nëse anëtarët kanë kurajon të veprojnë si të pavarur edhe institucioni mund të veprojë si i pavarur. Ata mund ta bëjnë të pavarur ose jo KQZ. Kjo është në dorën e tyre dhe ligji u ka dhënë mundësitë për këtë. Është në dorën e tyre.

Ilir Paço – Nëse do të ishit anëtar i Gjykatës Kushtetuese, si do ta zgjidhnit këtë mosmarrëveshje?

Gent Ibrahimi – Ka një vendim të marsit nga Gjykata Kushtetuese kur nuk pranoi të gjykonte një ankim të një grupi deputetësh për ndarjen zgjedhore. Për arsye politike Kuvendi vendosi që ndarja e 2009 është e mirë edhe për 2013. Kjo cështje nuk u mor parasyh nga Gjykata Kushtetuese, e cila u tregua shumë konservatore. E njëjta logjikë që veproi atëherë është edhe në këtë rast. Unë nuk e shoh si akt individual. Nëse ka ndonjë shans që ky vendim të merret nga Kuvendi, mendoj që nuk do të merret për shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese në rast ankimimi.

Ilir Paço – Çfarë pasojash juridike dhe politike ka ky ndryshim në KQZ?

Gent Ibrahimi –  Në kuptimin jurdik nuk duhet të kishte asnjë pasojë, sa i përket atij politik përgjigje duhet t’i japin politikanët. Mua më duket sikur është më e rëndësishme që të kesh moral politik dhe jo shumicën në komisionet zgjedhore, por politikanët mendojnë ndryshe.

Top Channel