
Për vite të tëra kanë frymëzuar breza të shumtë studentësh e artistësh në punën e tyre. Këtë herë, në galerinë FAP në kryeqytet, modeleve të nudove, mbase për të parën herë, iu jepet një rëndësi e veçantë duke i vendosur në qendër të një ekspozite e cila ka çelur dyert paraditen e së enjtes.
Ermir Hoxha, kurator i ekspozitës, thotë: “Menduam të bënim një ekspozitë jo vetëm me fondin e shkollës, por të kishim si subjekt modelen Majlinda. Për ne është kënaqësi që sot e drejtojmë vëmendjen ndaj atyre personave që rrallëherë janë në optikën e përgjithshme të zhvillimeve artistike. Është një ekspozitë me karakter human.”
Majlinda është mbase më e vjetra prej modeleve. Ajo ka mbi 30 vjet që pozon e zhveshur në Akademinë e Arteve, duke thyer kështu edhe një tabu për realitetin shqiptar.
“Ndihem e gëzuar që më në fund u hap edhe një ekspozitë për mua. Në fillim kisha turp, por tani nuk e kam fare problem. Madje unë nuk rri dot më pa ardhur në Akademi për të pozuar”, shprehet Majlinda.
Ndër 20 punët e paraqitura, disa prej të cilave datojnë që nga vitet ‘80 e deri më tani, përfshihen vizatime, piktura, skulptura, si dhe një videoprojeksion i cili ka si subjekt Majlindën. Veprat janë përzgjedhur nga fondi i Universitetit të Arteve, por edhe nga koleksione të artistëve profesionistë si Mustafa Arapi, Ardian Devolli dhe Arben Bajo, i cili është edhe një nga kuratorët e ekspozitës.
Top Channel