UEFA, 10 javë pezullim racizmit

10/04/2013 20:35

E akuzuar për tolerimin e racizmit në të shkuarën, UEFA ka vendosur që të ashpërsojë ligjet, duke vendosur deri në 10 ndeshje pezullim për futbollistët dhe zyrtarët që shprehin qëndrime ofenduese, në bazë të vlerësimit të ngjyrës së lëkurës apo etnisë.

Në këtë sezon, UEFA dhe FIFA u vendosën nën presion nga disa raste të reja racizmi, më i përfoluri ai që përfshiu mesfushorin e Milanit, Kevin-Prince Boateng.

Ganezi u largua nga fusha, gjatë një miqësore me Pro Patrian në muajin janar, pasi u abuzua verbalisht nga turma, ndërsa në këtë edicion të Europa League, Lazio ka marrë një rekord prej katër ndëshkimesh, për shkak të incidenteve, që shpesh herë kanë përfshirë sjelljet raciste.

“Racizmi është një prej anëve më të shëmtuara të kësaj loje. Ne duhet të marrim sanksione sa më të ashpra. Ajo që i kemi propozuar FIFA-s është që të dënojmë me dhjetë javë pezullim, futbollistët, drejtuesit apo zyrtarët e klubeve të përfshirë në incidente të tilla”, tha sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, Gianni Infantino.

Në kuadrin e ashpërsimit të masave, UEFA do të kërkojë edhe rritjen e gjobave, pezullimeve të stadiumeve dhe ndëshkimeve të tjera në rastin e koreve abuzuese.

Top Channel