Kualifikohen Barça dhe Bayern

10/04/2013 23:30

Barcelona dhe Bayern Munchen kompletojnë katërshen e skuadrave gjysmëfinaliste të këtij sezoni të Champions League.

Për bavarezët ka qenë gjithçka shumë e thjeshtë pasi, ashtu si në ndeshjen e parë, gjermanët e Jupp Heynckes kanë fituar edhe në “Juventus Stadium”, 0-2, duke e çuar rezultatin në total 4-0.

Mandzukic, në pjesën e parë, dhe Pizarro, në minutën e 92-të, shkatërrojnë ëndrrën europiane të kampionëve të Italisë.

Ndërkohë, ka rezistuar e madje ka rrezikuar përmbysjen Paris SG, i cili eliminohet pas vetëm dy barazimesh, 2-2 në “Parc de Prince” dhe 1-1 në “Camp Nou”.

Skuadra e drejtuar nga Ancelotti kalon e para në avantazh, me argjentinasin Pastore, por shumë shpejt francezët zbresin me këmbë në tokë, pasi aktivizimi i Messi-t, në minutën e 60, ndryshon gjithcka në lojën e katalanasve, të cilët arrijnë edhe të gjejnë golin e barazimit, 10 minuta pas aktivizimit të yllit argjentinas, por autor është Pedro dhe jo “pleshti”.

Pas këtyre ndeshjeve zbardhen të katër skuadrat gjysmëfinaliste të Champions League, që janë dy gjermane, Borussia Dortmund dhe Bayern Munchen, e dy spanjolle, Real Madrid dhe Barcelona.

Por për të mësuar se si do të përballen këto katër skuadra, na duhet të presim shortin e ditës së premte.

Top Channel